Dështojnë bisedimet për tregti të lirë
Gjigantët e botës nuk bien dakord të heqin barrierat tregtare. Të vegjlit i kanë hequr sakaq
Bisedimet për liberalizimin e tregtisë botërore ranë në qorrsokak dje, kur takimi në rang ministrash u mbyll pa sukses pas nëntë ditësh bisedimesh intensive, njoftoi “Financial Times”. SHBA-të, India dhe Kina nuk ranë dakord në heqjen e barrierave për tregjet bujqësore të botës në zhvillim. Kjo është vera e tretë që bisedimet mbyllen me dështim të plotë. Zyrtarët pranuan se ndonjë zhvillim mbi tregtinë e lirë mund të pritet vetëm pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Përfaqësuesja amerikane, Susan Schwab,deklaroi se “bisedimet nuk kanë dështuar”, por një zyrtar i BE-së shtoi se, “tashmë është e qartë se nuk mund të flasim për sukses”.
Të pasur e duke u pasuruar
Çfarë është ekzatësisht “Raundi i Doha-s”? Bisedimet për liberalizimin e tregtisë botërore morën këtë emër sipas kryeqytetit të Katarit, ku liderët botërorë vendosën liberalizimin në vitin 2001. Arsyeja se pse diskutimet dështuan, është e njëjta që e ka mbajtur të bllokuar procesin gjatë të gjithë këtyre viteve: Kina, India e vende të tjera që po pasurohen, nuk duan të heqin dorë nga mbrojtja e prodhimit bujqësor vendës, sepse besojnë se nuk mund të përballojnë konkurrencën ndërkombëtare. Nga ana tjetër, SHBA-të dhe BE-ja kanë kërkuar hapjen e këtyre tregjeve për eksporte bujqësore, në këmbim të reduktimit të ndihmës shtetërore që fermerët e botës së pasur marrin për çdo vit. Debati nuk qëndron thjeshtë “të pasurit kundër vendeve që po pasurohen”. Disa vende si Brazili dhe Uruguai, të cilët kanë bujqësi të zhvilluar, janë bashkuar kundër Kinës e Indisë.
Bisedimet në fjalë, vlerësohen si “jo shumë të rëndësishme” për nxitjen e tregtisë botërore. Llogaritë tregojnë se vetëm 0.1% e tregtisë botërore, ose rreth 100 miliardë dollarë preken nga këto bisedime. Për më tepër, disa prej vendeve të varfra, të cilat aktualisht kanë akses të privilegjuar për eksporte bujqësore drejt vendeve të pasura, do të humbasin mbështetjen.