Radovan Karaxhiç dërgohet në Hagë
Ish udhëheqësi serb i Bosnjës, Radovan Karaxhiç është transferuar në Hagë, që e akuzon për krime lufte.
Ai u lëviz përmes një autokolone makinash në orët e para të mëngjesit nga ndërtesa e Gjykatës në Beograd ku mbahej që prej arrestimi të tij javën e kaluar pas më shumë se një dekade në arrati.
Karaxhiçi 63 vjeçar provoi të sfidonte ligjshmërinë e ekstradimit të tij.
Apeli u dërgua në minutën e fundit para skadimit të afatit, por deri të martën nuk kishte mbërritur në Hagë, duke e detyruar ministrin serb të Drejtësisë që të nxirrte urdhërin për ekstradim.
Ai është i paditur për rolin e tij siç akuzohet në krimet më të rënda në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore, vrasjen në vitin 1995 të tetë mijë myslimanëve në Srebrenicë.
Ai është akuzuar gjithashtu edhe në lidhje me rrethimin e kryeqytetit Sarajevë.
Lajmi se zoti Karaxhiç është dërguar me avion në Hagë erdhi disa orë pasi të paktën dhjetëmijë mbështetës të tij zhvilluan një tubim proteste në Beograd.
Partia ultranacionaliste serbe, ajo Radikale e organizoi tubimin në Beograd.
Nënsekretari i Përgjithshëm i partis,ë Nebojsha Stefanoviç, tha se tubimi nuk ishte vetëm për transferimin e zotit Karaxhiç.
"Tubimi është për Serbinë, madje diçka më shumë se vetëm për Radovan Karaxhiqin. Është një përpjekje për liri, demokraci, sepse ne besojmë se regjimi i Boris Tadiqit është duke u përpjekur tani të shtypë çdo liri mendimi apo çdo opinion tjetër madje edhe në shërbimet publike, median publike," tha zoti Stefanoviç.
Përleshjet shpërthyen mes policisë dhe disa qindra protestuesve gjatë fjalimeve të fundit në tubim.
Disa vetë u plagosën kur policia që përdori gaz lotsjellës mbi protestuesit të armatosur me gurë dhe mjete djegëse. (BBC)