E Shtunë, 31 Tetor 2026

Remontet, gjysma e Tiranës sot pa drita

 

Nga ora 8:00 e mëngjesit, deri në orën 17:00 e pasdites, të gjitha zonat periferike do të mbeten pa energji

Të gjitha periferitë e Tiranës që njihen si mospagues të rregullt të energjisë elektrike, do të vuajnë sot 8 orë mosfurnizim me energji elektrike, njoftuan burime nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Kufizimet janë planifikuar për shkak të remonteve në nënstacionin kryesor të Tiranës pranë Bregut të Lumit. Rruga “5 maji”, “Siri Kodra” etj., si dhe Babrroi, Paskuqani e Bathorja do të vuajnë kufizimet.

Gjatë dy muajve të fundit, numri i kufizimeve të furnizimit me energji është shtuar ndjeshëm në të gjithë Shqipërinë. Zyrtarisht, OSSH, ka deklaruar se kufizimet janë pasojë e remonteve të planifikuara në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes. Por ekspertë të fushës citojnë edhe probleme të tjera teknike, si ulja e kapaciteteve importuese nga konsumi i lartë në Greqi dhe debalancimi i konsumit në Shqipëri. Sezoni turistik dyfishon konsumin në zonat bregdetare dhe këto zona janë gjithashtu fundore në sistemin elektroenergjetik të vendit. Ndërkohë, rezerva hidrike në kaskadën e Drinit është në rënie. Ndonëse një krizë si ajo e vitit të kaluar përjashtohet si mundësi, vonimi i shirave të vjeshtës mund të sjellë ndërprerje të detyruara në furnizim. Shqipëria ka në plan të importojë mesatarisht 5.7 milionë kilovat/orë çdo ditë përgjatë të gjithë vitit 2008, ndërsa prodhimi vendës parashikohet të jetë mesatarisht 11.8 milionë kWh në ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›