Braçe: Qytetarët paguajnë 1.6 miliardë lekë për çetën e 35 zv/ministrave

Tiranë, 2 shkurt, NOA - Partia Socialiste ka
denoncuar përmes një deklarate për shtyp qeverinë Berisha, për ato që ajo i ka
cilësuar si shpenzime pa moral për të shpërblyer aleatët me poste shtesë të
zëvendës/ministrave.
Sipas deputetit socialist Erjon Braçe, e gjithë
kjo çetë njerëzish, po u kushton shqiptarëve në këtë kohë krize
ekonomike plot 1.6 miliardë lekë në muaj.
Në MPJ kemi 2 zv/ministra, 2 në ministrinë e
Integrimit, 3 në ministrinë e Bujqësisë, 3 në ministrinë e Mbrojtjes, 2 në ministrinë e
Drejtësisë, 2 në ministrinë e Financave, 3 në ministrinë e Ekonomisë, 3 në ministrinë e
Transporteve, 2 në ministrinë e Punës, 2 në ministrinë e Arsimit, 3 në ministrinë e
Kulturës, 2 në ministrinë e Shëndetësisë, 3 në ministrinë e Mjedisit, 2 në ministrinë
e Bujqësisë dhe 1 zv/ministër i Shtetit, bëri me dijeni Braçe.
Duke shtuar më pas se kjo është një çetë që
kushton shumë, por që e paguajnë qytetarët shqiptarë me qindarkat e tyre të
krizës, me 140 mln lekë në muaj dhe 1.6 miliard në vit (rroga, sigurime, dieta,
ndihmës, këshilltare, makinë, telefon) për këta 35 vetë.
Shqiptarët paguajnë sot, 2.3 euro çdo minutë
vetëm për 35 zv/ministrat, plus të tjera euro që paguajnë për 16 ministrat që
kanë e që nuk shërbejnë, denoncoi më tej Braçe.
Dhe sipas tij, kjo ndodh pikërisht në kushtet
e një krize ekonomike që çdo orë zgjerohet duke përfshire në çdo orë një
familje.
Kjo është fatura që shqiptarët paguajnë për
marrëveshjen me përqindje të Saliut me Ilirin, me Fatmirin, me Spiron, me
Ekremin, me Arjanin, me Neritanin, me Lufterin, madje edhe me Adriatikun, tha
deputeti socialist, duke cituar një nga një aleatët e Partisë Demokratike, të pranishëm
në qeverinë e re.
n.e/NOA