Tryeza e G99: Regjistrimi me fe dhe etni, nuk i shërben të vërtetës

Tiranë, 2 shkurt, NOA Update Regjistrimi i
popullatës shqiptare në bazë feje dhe përkatësie etnike, nuk i shërben të
vërtetës. Në këtë përfundim kanë arritur drejtuesit e G99 dhe analistë të
ndryshëm gjatë diskutimit të tyre në një tryezë të organizuar posaçërisht mbi
këtë projekt të ri të qeverisë. Në fjalën e hapjes së kësaj tryeze, drejtuesi i
G99, Erion Veliaj tha se përveç oponencës së gjerë që regjistrimi me baza
etnike dhe fetare ka hasur, ka gjithashtu shumë pikëpyetje mbi INSTAT dhe aftësinë
e tij për të realizuar këtë regjistrim objektivisht pas deklaratave
kundërshtuese që ky institucion ka bërë në një kohë të shkurtër mbi rritjen
ekonomike në Shqipëri.
Përderisa regjistri themeltar kombëtar i ka këto të dhëna nuk është e nevojshme
të dublohet ky informacion, tha ai.
Ndërsa ish-presidenti Meidani foli për elementet
subjektive që shfaqen ndërsa flitet për përkatësi fetare e etnike me anë
vetëdeklarimi. Sipas tij vetëdeklarimi nuk i shërben të vërtetës, pasi
përgjigjet e pyetësorit duhet të jenë objektive e të provuara.
Pyetësori aktual sipas Meidanit lë mënjanë
disa parime të rëndësishme si homogjenizimi i popullsisë.
Ndërsa historiani Pëllumb Xhufi tha se ligji për regjistrimin kundërshton
frymën e kushtetutës shqiptare, e cila është kundër diskriminimit dhe ndarjes
së popullsisë me baza etnike e fetare.
Xhufi tha gjithashtu që kjo ndërmarrje e nisur
në mënyrë të papërgjegjshme nga qeveria shqiptare rrezikon të kompromentojë
marrëdhëniet me fqinjët siç ka ndodhur me nisma të tjera të dështuara të
qeverisë Berisha.
Nga ana e saj, Milva Ekonomi tha se regjistrimi i popullsisë është një proces i
vështirë, i kushtueshëm dhe të dhënat që pritet të prodhohen nga ai rrezikojnë të
jenë të papërdorshme nëse pyetjet nuk marrin përgjigje cilësore.
Procesi i regjistrimit është mjet tepër i
rëndësishëm për Shqipërinë për të lejuar në të elemente subjektive siç është
vetëdeklarimi, u shpreh ajo.
n.e/NOA