Patozi: Pro dialogut me opozitën, komisioni hetimor të ngrihet që ditën e enjte

Tiranë, 2 shkurt, NOA Partia Demokratike është
e gatshme që mundësisht këtë të enjte të nisë ngritjen e komisionit parlamentar
mbi hetimin e zgjedhjeve, duke pasur qëllimin e mirë të kthimit të opozitës për
tu futur në parlament.
Një fakt të tillë e ka bërë me dije kreu i
grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, sipas të cilit selia blu është
shprehur në mënyrë të qartë dhe të vendosur se përshëndet e mbështet të gjitha
kërkesat e rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Partia Demokratike thekson gadishmërinë e saj
për të mirëpritur kontributin e presidentit të Republikës dhe çdo aktori tjetër,
pa asnjë lloj paragjykimi, duke vërejtur se jashtë rrafshit kushtetues,
respektimit të shtetit ligjor dhe vendimeve të gjykatave, mund të ketë vetëm një
dialog shterpë dhe asgjë më shumë se kaq, tha në deklaratën e tij Patozi.
Duke shtuar më tej se mazhoranca mbetet sërish
e vendosur për të bashkëpunuar me opozitën, sapo ajo të vendosë të respektojë Kushtetutën
e vendit, shtetin ligjor si dhe rregullat e lojës për një vend demokratik.
n.e/NOA