E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Rama po paguan haraçin e ndryshimeve kushtetuese

13-08-2012 / Gazeta 55

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, deputeti Erjon Braçe s’e kapërdin dot faktin që eprori i tij partiak, Edi Rama “firmosi” me bindje dhe vetëdije të plotë ndryshimet kushtetuese 4 vjet më parë, në partneritet të plotë me mazhorancën e PD. Në kushtet e gojë-mbylljes nga selia e PS, pasi podiumet janë të zëna me akuza ndaj mazhorancës, një përpjekje e brishtë kjo për të mbuluar fatalitetin e treguar nga opozita në seancën parlamentare të 6 gushtit, deputeti Braçe gjen “shpëtim” në Facebook, ku në jo pak raste atakon Ramën. Debatin e ditëve të fundit, krahas imunitetit, atë për emërim/shkarkimin e Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Partia Socialiste e ka shndërruar në “kalë beteje”, e pleksur nga paaftësia për të treguar konstruktivitetin opozitar. Edhe pse qëndrimet zyrtare të mazhorancës janë kuptim-plota dhe në zhargonin e respektimit të ligjit dhe kushtetutës së vendit, selia rozë mbetet në pozita të palëkundura jo se, si spektër opozitarë ka të drejtën e të gjithë botës për t’iu kundërvënë shumicës, por se përmes këtij debati i hedh “hi syve” opinionit publik dhe maskon dështimin e lidershipit socialist në përpjekjen e tij për tu çliruar nga pasanikët e grupit parlamentar. Në këtë drejtim, s’ka dyshime se interesi i vetëm i PS është i personalizuar me pretendimet e Edi Ramës i cili as më shumë e as më pak, thjesht kërkon pushtet në tavolinë apo pazare si ato për ndryshimet kushtetuese dhe zgjedhjen e titullarëve në institucionet kushtetuese. Ndryshimet kushtetuese janë edhe molla e sherrit brenda PS-së. Përplasja e klaneve s’është më një dukuri surprizë në selinë rozë, pasi Edi Rama është gjithnjë i shigjetuar, për marrëveshjen e nënshkruar prej tij me mazhorancën 4 vjet më parë, e cila parasheh rrugët ligjore për zgjedhjen e presidentit të Republikës, krerët e institucioneve kushtetuese dhe ato në varësi të ekzekutivit, Prokurorin si dhe anëtarët e gjyqësorit. Anëtari i Kryesisë socialiste kërkon që PS t’u kthejë borxhin e ndryshimeve kushtetuese të 2008. “Kam që prej zgjedhjeve lokale të 2011-s, vjedhjeve që flas e bërtas kudo në ambientet tona, të PS, që po shkojmë drejt kësaj të keqeje, ndaj kam propozuar ndryshime në Kushtetutë e sistemin politik. Dëgjojnë, të japin të drejtë po kaq, deri këtu, sepse më shumë e mendojnë si sulm ndaj kryetarit. Jo jo, nuk është sulm të pranosh gabimin, ta korrigjosh, për më tepër kur nga ky korrigjim varet e ardhmja demokratike e vendit! Ja ku jemi! Gjithë çfarë paralajmërova ndodhi! Tani të paktën të mbledhim mendjen se jemi nën regjim e duhet të bëjmë betejë me të”, shprehet Braçe.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›