Komenti/Artikulim më të fortë të vendosmërisë për t’u përballur me krimin
“Nuk do të ketë më diferencime të krimit në të rëndë dhe të lehtë, por do të ndiqet e njëjta linjë në politikat goditëse”. Kjo ishte një fjali nga deklarimi i Ministrit të Brendshëm z.Flamur Noka pas ngushëllimit të tij në familjen e viktimës Fatbardha Tafës. Nuk kishte se si të më shpëtonte ky artikulim shumë i qartë i ministrit të Brendshëm i cili më pëlqeu në këtë rast, jo vetëm për faktin që ai është personi që flet me kompetencë dhe e jep këtë deklarim duke pasur në vartësi dhe Policinë e Shtetit, por më së shumti dhe se ky ishte dhe një apel shumë i qartë dhe për të tjera institucione si; prokurorinë dhe gjykatat që ndaj elementëve të tillë keqbërës që i morën jetën Fatbardha Tafës toleranca ndaj tyre të jetë zero. Po dje, në koherencë të prononcimit të ministri Noka ishte dhe reagimi i ministrisë së Drejtësisë pas ndalimit të personit të dyshuar për vrasjen e ndodhur të ish-fusha e Aviacionit para pak ditësh në Tiranë gjatë një grabitje. Ministria e Drejtësisë pasi u njoh me faktin se ky shtetas është liruar para një viti nga gjykata, ka urdhëruar inspektimin e menjëhershëm të gjithë dosjes së këtij ish të dënuari.
Le të kthehemi dhe tek deklarata e ministrit të Brendshëm Flamur Noka që ka të bëjë me mosdiferencim të krimit sa i përket luftës goditëse. Që të luftohet pa kompromis dhe pa diferencim krimi, kjo nuk mundësohet vetëm me luftën e intensifikuar dhe profesionale të uniformave blu, që në fakt ka qenë tejet efikase, ku mund të përmendim zbardhjen e mjaft krimeve në kohë rekord, ndalimin dhe vënien në pranga të autorëve të tyre, por dhe parandalimin e krimeve siç ishte rasti më i fundit tek ish-pallati me shigjeta në Tiranë nga efektivë të policisë së të njëjtit komisariat policie në Tiranë ku ndodhi ngjarja e rëndë te ish-fusha e Aviacionit e cila u zbardh në kohë rekord. Për të luftuar çdo lloj krimi nevojitet që ndaj këtij kontingjenti kriminelësh masat të jenë më të forta që të mos tolerohen që të vijnë deri në ngjarje të rënda si kjo, qoftë dhe duke bërë ndryshime ligjore siç dhe theksoi kreu i ministrisë së Brendshme, për masa të ashpra ndëshkimi ndaj krimeve të tilla. Por, pa ardhur tek ndryshimet ligjore nga institucionet që japin dënimin për krimin që elementë të tillë kryejnë nevojitet më shumë përgjegjshmëri dhe profesionalizëm. Në këtë betejën sërish pjesën më të vështirë të punës e ka Policia e Shtetit e cila pavarësisht se e ka pjesë së punës së saj operative luftën ndaj krimit, duke i pasur të skeduar të gjithë këta persona në disa ngjarje të akuzuar për vjedhje me dhunë i duhet t’i mbajë nën survejim sepse puna e efektivave blu është ndalimi, shoqërimi në komisariat i personave më të tillë precedentë penale, dokumentimi i krimeve të tyre dhe më pas çështja iu kalon autoriteteve të tjera si; prokurorisë dhe gjykatës, por nga andej një pjesë jo e vogël fitojnë lirinë ose marrin dënim minimal për të iu kthyer aktivitetit kriminal sic ishte rasti i personit të akuzuar për vrasjen e Fatbardha Tafës dhe plagosjen e motrës së saj. Deklarimi i z.Noka për të mos pasur diferencime ndaj luftës ndaj krimit në këtë moment është shumë i rëndësishëm dhe personalisht besoj në angazhimin e tij personal por dhe profesional në këtë betejë, ndaj që të gjitha strukturat duke filluar që nga uniformat blu të cilat në fakt vazhdojnë përballjen çdo ditë me krimin e çdo lloji, por veçanërisht strukturat e tjera që ndjekin këto ngjarje si dhe prokuroria dhe gjykata të jenë në koordinim të plotë me punën e Policisë së Shtetit dhe me vendimet e tyre të lënë pas hekurave ata të cilët kryejnë vepra penale pavarësisht llojit të krimit. Ligji duhet të jetë sa më i ashpër mbi këta persona për të mos toleruar askënd të prishë rendin dhe qetësinë publike, vjedh, vrasë, dhe trafikojë dhe secili elementë që kryen ketë vepër penale të marrë dënimin maksimal. Në këtë mënyrë i lihet zero tolerancë elementëve të tillë kriminal për të iu kthyer sërish krimit të rrugës. Le të jetë ky artikulim shumë i qartë i ministrit Noka një apel për të gjithë strukturat përkatëse që merren me luftën ndaj krimit për të na siguruar sa më shumë rend dhe qetësi.