E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Shqipëria kanoset nga mafia

Deklarata

Deputeti i PS-së, Erion Braçe, ka zbardhur dje sekretet e raportit të Shërbimit Informativ Shtetëror mbi punën njëvjeçare. Sipas tij, në Komisionin e Sigurisë, shefi i SHISH-it, Bahri Shaqiri, ka rrëfyer rrezikun që i kanoset shoqërisë shqiptare nga mafia ruse, italiane dhe izraelite. Deputeti Braçe pohon se mafia e huaj po pastron para në ndërtimin e pallateve, në kazino, në operacione të ndërlikuara bankare dhe me tregtimin e mallrave të ndryshme. "Organizata mafioze kalabreze mbiveprojnë mbi shtetas shqiptarë nga një prej qarqeve më të rëndësishme dhe më të pasura të Shqipërisë. Grupet kriminale napolitane po shprehin dëshirën të investojnë në Shqipëri në drejtim të ngritjes, apo blerjes së kazinove. Informacione të shumta të mbërritura dëshmojnë se Shqipëria është tashmë në fokusin e investimeve të dyshimta ruse. Konfirmohet interesimi për blerjen e tokave në bregdet dhe zonave të ndryshme turistike gjithashtu. Disponohen të dhëna se elementë të krimit të organizuar izraelit po synojnë tregun shqiptar të lojërave të fatit dhe investime në fushën e energjetikës", tha Erion Braçe. Duke iu referuar raportimit të drejtorit të SHISH-it në Komisionin e Sigurisë, Braçe thotë se “disa narkotrafikantë shqiptarë rezidentë në vendet e Amerikës Latine, po tentojnë të përfshihen në fusha investimesh të rëndësishme në Shqipëri”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›