Tre përndjekjet e popullsisë çame tek Enciklopedia e Sarandës dhe Delvinës
Drama e popullit çam është trajtuar gjerësisht në librin “Enciklopedia e Delvinës dhe e Sarandës”, shkruar nga historiani Apostol Pango, doktor i shkencave historike. Në të përshkruhet dhe trajtohet gjerësisht drama e popullit çam, i cili ka përjetuar përndjekje dhe dhunime të përsëritura në rrjedhat e historisë, që lidhen tërësisht me përkatësinë e saj krahinore. Pango shkruan se qysh pas nënshkrimit të protokollit të Firences, më 17 dhjetor 1913, që kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë e caktoi në çamëri, për popullsinë çame u vendos një regjim i rreptë. Formacionet ushtarake greke, që kishin si synim shfarosjen e popullsisë shqiptare myslimane dhe asimilimin e popullsisë ortodokse në çamëri, ekzekutuan, dogjën shtëpi dhe e dëbuan popullsinë nga pronat e tyre. Vetëm brenda një dite, më 25 shkurt 1913, banda e Delijanaqit vrau 72 burra nga paria e Paramithisë. Kjo përndjekje vijoi edhe pas Konventës së Lozanës, më 30 janar 1923, kur janë dëbuar për në Turqi mjaft familje çame të fesë myslimane. Këshilli i Lidhjes së Kombeve, në vitin 1926, ndaloi shpërnguljen e popullsisë çame nga trojet e veta për në Azinë e Vogël dhe vendosi që të trajtoheshin si nënshtetas grekë me të drejta të plota. 20 vjet më vonë, forcat zerviste organizuan një masakër të vërtetë mbi popullsinë shqiptare dhe rreth 20 mijë vetë përdhunshëm u detyruan të largohen dhe të vendosen kryesisht në rajonin Delvinë, Sarandë, Fier e Lushnjë.
#