E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD e Tiranës, fiton Aldo Bumçi

Partia Demokratike ka mbyllur dje zyrtarisht dilemën për kreun e ri të PD-së së Tiranës. 826 delegatët e zgjedhur nga degët dhe nëndegët e Partisë Demokratike kanë votuar për të zgjedhur një nga tre kandidatët që do t‘i drejtojë ata për katër vitet e ardhshme. Aldo Bumçi, Lajla Përnaska dhe Gjergji Bojaxhi kanë garuar dje përballë njëri-tjetrit për pozicionin e kryetarit të degës së Partisë Demokratike në Tiranë. Deri në orët e vona të natës ka vijuar procesi i votimit dhe më pas numërimit të votave. Komisioni i votimit shpalli fitues në këtë garë kandidatin Aldo Bumçi që mban edhe postin e deputetit. Veprim që shënoi fundin e odisesë së shumëpërfolur brenda partisë më të madhe në vend, se kush do të jetë njeriu që do të menaxhojë militantët dhe elektoratin e Tiranës gjatë katër viteve të ardhshme. Brenda dy muajve, ministri i qeverisë "Berisha", Sokol Olldashi, ka lënë postin e kreut të forumit rinor të PD-së në duart e Gerti Bogdanit dhe postin e kryetarit të PD-së Tiranë nën drejtimin e të përzgjedhurit nga Konferenca e Partisë Demokratike. Vetëm një ditë përpara garës zyrtare, deputeti Besnik Mustafaj deklaroi zyrtarisht tërheqjen nga gara, dhe 12 orë përpara fillimit të punimeve të kësaj konference, Kryesia e Partisë Demokratike përzgjodhi tre kandidatët: Aldo Bumçi, Gjergji Bojaxhi dhe Lajla Përnaska. Kandidati fitues i këtyre zgjedhjeve do të pozicionohet i dyti në listën e deputetëve për Qarkun e Tiranës, pas kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

Partia Demokratike e Tiranës është dega më e madhe e PD-së në të 12 qarqet e vendit. I pari kryetar i saj, i zgjedhur fare pak kohë pas krijimit të Partisë Demokratike, ishte Ylli Vejsiu, i cili ka qenë anëtar i kryesisë së parë të kësaj partie, që zgjodhi Sali Berishën kryetar partie. Vendin e Vejsiut e zuri Albert Brojka, i cili nga viti 1996 deri në vitin 2000 drejtoi edhe Bashkinë e Tiranës. Por Brojka u largua nga kreu i PD-së së Tiranës në vitin 1999, së bashku me Genc Pollon, Tritan Shehun dhe Petrit Kalakulën. Në kongresin e jashtëzakonshëm të atij viti, kryetar i PD-së së Tiranës u zgjodh Vili Minarolli, i cili mori një mandat të dytë në vitin 2002 dhe e mbajti deri në vitin 2005. Në vitin e rikthimit të PD-së në pushtet, degën më të madhe të kësaj partie e mori Sokol Olldashi, i cili në 2007 konkurroi edhe për Bashkinë e Tiranës. Vetëm një ditë përpara garës, në momentin e fundit u largua një prej kandidatëve potencialë, Besnik Mustafaj.

Nga numri i madh i kandidaturave për kreun e PD-së Tiranë, Kryesia e Partisë Demokratike ka zgjedhur tre kandidatë për këtë pozicion. Më pas, tre kandidaturat e seleksionuara nga Kryesia i përcillen konferencës së degës së PD-së, e cila voton për një emër të vetëm. Dhe kush rezulton të marrë vota më shumë, do të zyrtarizohet dhe si kryetar i demokratëve të kryeqytetit.

Anëtarësimet në PD

Olldashi: 5 mijë regjistrime të reja

Ish-kryetari i degës Tiranë, Sokol Olldashi, duke bërë një bilanc të punës së tij katërvjeçare, theksoi se janë 5 mijë qytetarë që gjatë procesit të ristrukturimit janë anëtarësuar në PD. 30% e tyre janë femra, ndërsa 2304 janë të rinj që i janë bashkangjitur Partisë Demokratike përpara zgjedhjeve të 28 qershorit. "2005-2009 është periudha më intensive në jetën politike të kryeqytetit. Dega e Tiranës ka dhënë një kontribut të qenësishëm në realizimin e premtimeve tona elektorale të vitit 2005, duke vënë në dispozicion të qeverisjes së Shqipërisë burimet njerëzore", tha Olldashi.

Tre kandidatët, Bumçi, Bojaxhi dhe Përnaska tregojnë platformën për të fituar PD-në e Tiranës

Premtimi i Berishës: Ne

do ta bëjmë Tiranën blu

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, çeli dje zyrtarisht garën për PD-në e Tiranës, duke u hapur rrugë tre kandidatëve Aldo Bumçi, Gjergji Bojaxhi dhe Lajla Përnaska, për të shpalosur platformën e tyre. Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht Kryetar i Partisë Demokratike, theksoi dje se "qendra e djathtë shqiptare është lokomotiva e vërtetë e reformave, integrimit, prosperitetit dhe demokracisë". Sipas Berishës, sot Tirana është kryeqyteti i një vendi me tregues kriminaliteti qartësisht më të ulët se mesatarja e vendeve anëtare të BE-së. "Tashmë Tirana është kryeqyteti i vendit që ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe brenda një viti do të marrë të drejtën të lëvizë në mbarë Evropën pa viza", tha Berisha. Kryeministri u zotua se me zgjedhjet e 28 qershorit do të shembë edhe murin e fundit që ka mbetur në Tiranë, të cilin Berisha e etiketoi si murin e ndërtimeve pa leje dhe të korrupsionit. Duke siguruar se "qeveria është e vendosur t‘i japë kryeqytetit infrastrukturën më moderne", Kryeministri i kërkoi kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që të dorëzojë projektin e Unazës së Madhe të Tiranës, të cilën "kjo mazhorancë është e gatshme ta përfundojë brenda 1 viti". I vetmi që nuk atakoi drejtpërdrejt kryetarin e PS-së dhe të Bashkisë së Tiranës, në diferencë nga dy kandidatët e tjerë, ishte Aldo Bumçi, i cilësuar në PD si i preferuari i Sali Berishës. Platforma e deputetit Bumçi për të drejtuar degën e PD-së së qarkut më të madh është rikthimi në selinë e demokratëve të ish-deputetëve demokratë dhe ka ftuar të rinjtë për të kontribuar në Partinë Demokratike. "Ne na duhet të krijojmë hapësirë publike për debat në degën e Tiranës, që të përfshijë çdo seksion të saj për t‘i ripërtëritur politikisht strukturat tona. Dega e PD-së së Tiranës duhet të jetë e hapur për të gjitha grupet e interesit", tha Bumçi. Kandidati Gjergji Bojaxhi i është drejtuar me tone të ashpra kryetarit të Bashkisë Tiranë, për mënyrën sesi po qeveriset kryeqyteti. "PD e Tiranës duhet të kryesojë prerjen e të gjitha lejeve të paligjshme të kryebashkiakut Rama", tha Bojaxhi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›