E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: S’ka marrëveshje të fshehtë PD-PS

Tiranë (start)-Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Erion Braçe ka hedhur poshtë sot në Kuvend, akuzat për një marrëveshje të fshehtë midis PD-së dhe PS-së. Braçe theksoi se nuk ekzistonte asnjë marrëveshje apo Pazar midis partisë së tij dhe Sali Berishës. “Do të doja me shumë modesti, edhe për kushtet e seancës të refuzoja deri në neveri të gjitha aludimet, akuzat e bëra këtu dhe jashtë sallës për marrëdhënie apo marrëveshje, për pazar apo biznes tonin me Sali Berishën, i cili ka qenë, është dhe do të mbetet kundërshtari ynë edhe për pak muaj, sepse nuk do të jetë më pas Qershorit të 2009”-tha Braçe para kolegëve të tij deputetë në sallën e Parlamentit.

Më tej, Braçe tha se Partia Socialiste ka hyrë në procesin e hartimit të kodit me synimet e saj brenda gjithë kritereve demokratike, të të gjitha institucioneve që monitorojnë zgjedhjet në Shqipëri dhe mbikëqyrin dhe certifikojnë zgjedhjet në Shqipëri.

“Mbi interesat e PS nuk do të vëmë interesat e kërkujt tjetër. Pikërisht për të gjithë ata që duan të kuptojnë dhe të dëgjojnë, apo duan ta vlerësojnë qëndrimin tonë, pra për gjithë shqiptarët do të doja të thoja se ne jemi në këtë sallë për të bërë detyrimin tonë kushtetues në raport me qeverinë, dhe natyrisht në raport me abuzimin e pushtetit”-deklaroi më tej.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›