E Diel, 1 Nëntor 2026

Britanikët, të shqetësuar për pavarësinë e institucioneve dhe akuzat për korrupsion



Ndërkombëtarët vazhdojnë të shprehen të shqetësuar për cenimin e pavarësisë së institucioneve në Shqipëri si dhe për akuzat e shpeshta për korrupsion në nivelet e larta qeverisëse. Nënkryetarja e Parlamentit të Britanisë së Madhe, Silvia Hill, gjatë fjalës së mbajtur në seancën e djeshme parlamentare, ka vënë theksin pikërisht në domosdoshmërinë e garantimit të pavarësisë së institucioneve. “Një tjetër sfidë që është e rëndësishme në këtë periudhë, është dhe reforma në Drejtësi. Që një sistem ligjor të funksionojë me efikasitet duhet mbështetja e njerëzve të atij vendi. Prandaj është e rëndësishme të sigurohet pavarësi nga influenca të jashtme, qoftë nga qeveria, qoftë nga ndonjë individ ose grup tjetër. Legjislacioni duhet të sigurojë drejtësi efikase dhe transparente”, - është shprehur Hill. Ajo gjithashtu ka kërkuar t’i jepet fund demagogjisë për korrupsion. Sipas përfaqësueses së Parlamentit anglez, nëse ka korrupsion ai duhet luftuar dhe individët të vihen para drejtësisë. “Ku ka tregues për korrupsion, qoftë në sistemin e drejtësisë, qoftë kudo tjetër, është e domosdoshme që të bëhen investigime të thella dhe aty ku dyshimet vërtetohen atëherë personat e përfshirë duhet të vihen para drejtësisë”, - është shprehur Hill. Nënkryetarja e Kuvendit të Mbretërisë së Bashkuar ka vënë theksin dhe në domosdoshmërinë e zbatimit të legjislacionit të miratuar. Sipas saj, është shumë i rëndësishëm që një ligj të zbatohet. Pikërisht nga kjo, sipas saj, do të varet dhe integrimi i Shqipërisë në BE. Silvia Hill kërkoi gjithashtu që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të jenë të pranueshme nga të gjitha palët. “Është e rëndësishme që marrëveshjet që paraprijnë një proces zgjedhor të kenë mbështetje të gjerë. Është gjithashtu e rëndësishme që këto marrëveshje të arrihen mjaft kohë përpara, në mënyrë që të sigurohet se ato persona që administrojnë zgjedhjet të jenë në dijeni që herët për mënyrën e organizimit”, - ka sugjeruar Hill.

19 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›