Braçe: Topalli po konsumon vepër penale
Socialistët denoncuan edhe dje zvarritjen e procedurës për heqjen e imunitetit të ish-ministrit Fatmir Mediu. Nënkryetari i grupit parlamentar tha se "kemi të bëjmë me bllokim të hetimeve dhe në mënyrë flagrante pengimin e drejtësisë për të hetuar plotësisht, gjetur e ndëshkuar ligjërisht, autorët dhe përgjegjësit e krimit shtetëror të Gërdecit". "Kjo vepër kriminale, e paraparë si e tillë nga Kodet Penale dhe procedurat në fuqi, po konsumohet me vetëdije të plotë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe drejtuesja e saj", theksoi Braçe. Sipas tij, qysh më 25 prill 2008, Prokurorja e Përgjithshme ka kërkuar nga Kuvendi leje për të thelluar hetimet duke ringritur lart në rangun e përgjegjësve politikë dhe shtetërorë, me kërkesë për procedim penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes. "Sot jemi një muaj më pas dhe qëllimisht nën interesin e drejtpërdrejtë, presionin po të tillë të Sali Berishës në Kuvend, nuk është kryer asnjë veprim procedural, ndërkohë që është bërë çdo veprim burokratik për të penguar drejtësinë të ndëshkojë ligjërisht", u shpreh Braçe. Pas çdo përpjekjeje, shtoi ai, Sali Berisha nuk mund të shlyejë faktin se ishte përfshirë familjarisht në krimin e Gërdecit. "Pikërisht për këtë arsye, në emër të atyre njerëzve që kanë humbur jetën në Gërdec, vazhdojmë të apelojmë për të çliruar hetimin nga pengesat e qëllimta kriminale në Kuvendin e Shqipërisë", vijoi Braçe. Ai shprehu gjithashtu papajtueshmërinë me qëndrimin barbar të Kryeministrit Berisha në aspektin social të trajtimit të ngjarjes së Gërdecit. PS premton se do të bëjë çmos që edhe në këtë rast shteti të marrë përgjegjësitë e veta dhe të shpenzojë paratë e domosdoshme për t‘ju rikthyer jetën këtyre njerëzve. "E them jo thjesht për një pension invaliditeti, por me shpenzime të plota për të rikuperuar çdo dëmtim që është bërë në trupin e këtyre njerëzve", u shpreh Braçe. Me pakënaqësi ai komentoi faktin se si Kryetarja e Kuvendit po vazhdon të trajtojë një nismë ligjore të ndërmarrë nga deputetët socialistë, lidhur me kompensimin financiar të dëmeve të shkaktuara në Gërdec.