LSI: Qeveria mashtron për rritjen e pagave
Lëvizja Socialiste për Integrim shprehu dje shqetësim për thellimin e varfërisë dhe indiferencën e qeverisë shqiptare. Sipas nënkryetares Filloreta Kodra, varfëria që "është ulur këmbëkryq" në çdo familje shqiptare, është bërë sot një fenomen social eksploziv. Sipas saj, Berisha dhe të tijtë mashtrojnë në mënyrë të paskrupullt me deklaratat e tyre, të cilat nuk janë deklarata të një qeverie që drejton vendin, po të një qeverie që tashmë ka dalë në opozitë. "Kjo qeveri nuk ka përmbushur asnjë premtim dhe i ka bërë shqiptarët më të varfër se në vitin 2005", vlerësoi Kodra. Ajo këmbënguli se deklaratat e papërgjegjshme të drejtorit të doganave, që zhdoganimet e miellit vazhdojnë të mbeten të njëjta, janë prova e pakundërshtueshme që qeverisja e Berishës është bërë si qeverisja e Partisë së Punës para viteve ‘90, e cila krenohej me të ashtuquajturin "sigurim të bukës në vend". Ndërsa shqiptarët, shtoi ajo, pikërisht për këtë arsye e rrëzuan qeverinë e bukës së gojës në vitin ‘90. "Çdo lloj pretendimi e deklarimi i papërgjegjshëm i organizmave të tjera politike, ose jo për gjoja ruajtjen e ekuilibrave ushqimorë të shqiptarëve, janë lehtësisht të përgënjeshtrueshme nga mijëra e mijëra tregtarë dhe pronarë të bizneseve ushqimore", tha Kodra. Për sa i takon problemit delikat të pagave, vuri në dukje ajo, në buxhetin e vitit 2008 është parashikuar një rritje mesatare e pagave prej 8%. "Kryeministri nuk lodhet së gënjyeri pensionistët, duke thënë se po dyfishon pensionet e tyre, ndërkohë që i kujtojmë Kryeministrit se çdo pensionist, çdo muaj kur tërheq pensionin është në gjendje të llogarisë fare mirë thërrimet e marra në raport me dyfishimin e pensionit të premtuar. LSI vlerëson se mandati mashtrues i kësaj qeverie ka përfunduar dhe ajo me papërgjegjshmërinë e saj ka krijuar të gjitha premisat për një kolaps ekonomik tepër të rrezikshëm, që do të krijojë një shpërthim social të pakontrollueshëm.