PD ndez motorët për 2009-ën
PD starton punën për të filluar fushatën elektorale. Kryetari i PD-së, njëkohësisht edhe Kryeministër i vendit, ka drejtuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku janë ngritur edhe grupet e punës që do të merren me fushatën në rrethe. Kryeministri Berisha ka kërkuar në mbledhje që të forcohen degët e partisë, duke qenë se tashmë nuk do të votohet kandidati, por partia. Turi i Kryeministrit Berisha, "Shqipëria në NATO", do të vijojë këtë fundjavë në jug të vendit. Pas Beratit, këtë të premte do të jetë Vlora ajo që do të presë kreun e qeverisë për të vijuar me inaugurimet e radhës. Fushata e 2009-ës do të tregojë se sa i kënaqur është elektorati nga qeverisja "Berisha", sa të kënaqur kanë ngelur militantët e djathtë nga 4 vitet e pushtetit, por edhe sa efekt kanë pasur tek opinioni publik sukseset e tilla, siç ishte futja e Shqipërisë në NATO.