E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia, plan kundër emigrantëve

Me operacione të llojit "fshesa" dhe praktika që të kujtojnë vitet ‘70, qeveria greke kërkon të vendosë rregull në kaosin e emigracionit klandestin në vend. Kështu shkruan gazeta e njohur "Elefteros Tipos", në numrin e saj më të fundit.

Sipas kësaj gazete, fluksi i lartë i hyrjeve të emigrantëve dhe numri i lartë i veprave penale të lidhura me të, e kanë detyruar ministrin e Brendshëm grek, Prokopis Pavllopulos, të përgatisë një plan sekret për përballimin e situatës.

Në Greqi jetojnë aktualisht më shumë se 1 milion emigrantë, 40 për qind e të cilëve ndodhen në kushte tepër të vështira. Ata janë klandestinë, ose zotërojnë statusin e personit që ka kërkuar azil politik, kërkesë që në pjesën më të madhe të rasteve nuk merret parasysh prej zyrave të emigracionit.

Në Greqi po shtohet gjithnjë e më shumë fryma kundër pranisë së emigrantëve në vend. Madje, shumë prej analistëve më të njohur vendas thonë se mungesa e një strategjie qeveritare mund t‘i kushtojë asaj edhe humbjen në zgjedhjet e ardhshme politike, që siç duket nuk do të jenë shumë larg. Kjo politikë e ashpër e qeverisë synon parandalimin e rritjes së numrit të emigrantëve klandestinë, që hyjnë në vend e që sipas shifrave jozyrtare arrin në mbi 120 mijë persona në vit. Plani parashikon operacione "fshesë", që kanë filluar dhe pritet të intensifikohen në të ardhmen. Ato po kryhen në fshehtësi dhe larg syve e vëmendjes së medias, e cila është tepër kritike ndaj qeverisë lidhur me metodat e dhunshme dhe aspak njerëzore të këtyre operacioneve.

Personat e ndaluar do të deportohen me urgjencë në drejtim të vendeve të origjinës. Ndërsa kufijtë me Shqipërinë do të forcohen së tepërmi. Kjo vijë kufitare, sipas të njëjtave burime mediatike, përdoret shpesh për trafikun e personave dhe të lëndëve narkotike drejt Evropës.

"Ende nuk janë harruar pamjet e grumbullimit të emigrantëve shqiptarë në stadiume, pamje që të kujtojnë juntën ushtarake të Pinoçetit në Kili", shkruan gazeta "Elefteros Tipos". Operacionet fshesë ngjajnë me ato të dikurshmet, por protagonistët në shumicën e rasteve, tashmë janë klandestinë të ardhur prej vendeve afrikane, Shqipërisë ose prej vendeve të ish-bllokut socialist.

Gjithnjë sipas "Elefteros Tipos", operacionet fshesë po kryhen edhe në qytetet më të mëdha në vend, por edhe në portin e Patras dhe Igumenicës, porta dalëse e Greqisë drejt Evropës Perëndimore. Qeveria "Karamanlis" ka kërkuar ndihmë edhe prej vendeve të Evropës, por deri tani, vetëm Italia ka ofruar ndihmë, si vend që ka probleme të ngjashme me fluksin e klandestinëve afrikanë.

Ndërsa parandalimi i fluksit të hyrjes së klandestinëve duket se do të kërkojë një strategji më të saktë se ajo e mbylljes së kufijve, qeveria ka gati edhe një plan për largimin me dëshirë të emigrantëve nga vendi. Në buxhetin e vitit të ardhshëm, ajo do të parashikojë një fond shtesë për largimin me dëshirë të të gjithë emigrantëve. Në këmbim, atyre do t‘u jepen viza me shumë hyrje e dalje, ndihmë ekonomike dhe asistencë logjistike falas për hapjen e bizneseve në vendet e tyre. Prej kësaj ndihme do të përfitojnë kryesisht emigrantët shqiptarë me origjinë greke, të cilët Athina zyrtare dëshiron që ata të kthehen në vendin e tyre, jo vetëm për të ulur numrin e përgjithshëm të emigrantëve në vend, por edhe për qëllime të qarta politike.

Gjatë këtij viti ka filluar aplikimi i kësaj metode. Mbi 50 familje, kryesisht prej fshatrave të minoritetit grek në Gjirokastër dhe Sarandë, janë kthyer nga emigracioni në këmbim të lehtësirave të ndryshme të ofruara nga autoritetet zyrtare të Greqisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›