Braçe: Tri shkeljet e Bashës për Rrëshen-Kalimash
Tiranë- Partia Socialiste ka denoncuar sërish dje me fakte abuzimet e bëra në segmentin e shumëpërfolur, Rrëshen-Kalimash, pagëzuar nga kreu i qeverisë si pjesë e rrugës patriotike. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, ka deklaruar se 3 vendime për Procedurat e Prokurimit Publik dhe miratimit të kontratës me “Bechtel- Enca”, janë shoqëruar me probleme. Njëri është marrë në rrugë jonormale, pa mbledhje qeverie, tjetri është thellësisht i falsifikuar jashtë mbledhjes së qeverisë, dhe i treti është kundërshtuar ashpër nga dy ministra të qeverisë Berisha për paligjshmëri. Përkundër reagimit të mazhorancës, se akuzat e ngritura për dosjen “Durrës-Kukës”, janë politike dhe të pabaza, Braçe ka bërë publike tri shkresa, që konstatojnë probleme në përgatitjen e dokumentacionit për procedurat e prokurimit publik të segmentit Rrëshen-Kalimash. Denoncimi i parë, sipas Braçes, erdhi nga Agjencia e Prokurimit Publik, e cila vërejti se në relacionin e ministrit Lulzim Basha për “Prokurimin e drejtpërdrejtë me kompaninë “Ecorys Group”, mungonte relacioni i hollësishëm i përllogaritjes së fondit limit, arsyet e përzgjedhjes së këtij Konsorciumi, si dhe dokumentacioni ligjor i tij. Vetëm dy muaj më pas, ministri i Drejtësisë në atë kohë, Aldo Bumçi, duke i kthyer përgjigje ministrit Basha për projektvendimin për miratimin e kontratës me kompaninë “Bechtel–Enca”, vëren sërish probleme. Pas tij, vjen një tjetër denoncim nga ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili ka kërkuar nga Basha argumentimin e bazës ligjore të projektit. Krahas kësaj, Bode ka kërkuar edhe rishikimin e shumës së pagesës paraprake, që përbën 9.5 % të kostos së planifikuar të shpenzimit për këtë segment dhe shumën e garancisë, që përbën 7% të kostos së vlerësuar për ndërtim. Këto fakte, sipas Braçes, dëshmojnë se akuzat që rëndojnë mbi ish-kreun e Transporteve janë qartësisht penale dhe jopolitike. Avokati politike, ka shtuar më tej ai, mund të quhet mbrojtja që Berisha po i bën ministrit të tij, që tashmë është një ministër i pandehur. “Kryeministri Sali Berisha përsëriti edhe dje avokatinë politike, duke thënë se vendimet për vjedhjen shembullore të shekullit, në vetëm 60 km rrugë, Rrëshen- Kalimash, i ka marrë qeveria dhe jo ministri i pandehur”,- u shpreh Braçe.
Detajet e bëra publike lidhur me këtë çështje, sipas Braçes, janë produkt i luftës së brendshme për dominim mes klaneve rivale brenda qeverisë së Sali Berishës dhe brenda Partisë Demokratike. “Produkti, çuditërisht është pozitiv, bëri të mundur që tek ne të vijnë dokumente thelbësorë për hetimin, që kanë si konkluzion procedimin penal ndaj ministrit”,- përfundoi ai.