E Shtunë, 31 Tetor 2026

Puccini i të rinjve

“Triptiku” i Puccini-t është premiera absolute që iu dha mundësinë sidomos të rinjve dhe studentëve. E reja? Nuk mjafton të kesh zë të bukur dhe të kthjellët, por duhet edhe të aktrosh. Surpriza? Baritoni bullgar Dobromir Tzvetanov. Ja Xhani Skiki, sipas tij

Për herë të parë në historinë 55-vjeçare Teatri Kombëtar i Operës dhe i Baletit vë në skenë “Triptikun” e Giacomo Puccinit me libret të Giovacchino Forzano-s. Tri opera në një trajtojnë vdekjen në tri mënyra të ndryshme. Është një vepër e vështirë për tu realizuar jo vetëm për karakteret e shumtë, edhe për skenografinë që duhet të ndryshojë rrënjësisht për çdo pjesë. Kombinimi i videoprojeksionit me skenografinë tradicionale ishte një mbështetje për veprën, sidomos në pjesën e dytë “Motër Angjelika”. E gjithë ngjarja ndodh brenda shpirtit të murgeshës dhe shumë pak zhvillohet në skenë. Interpretimi i thatë i sopranos Irini Nikolla vështirë se transmetonte ndopak nga ndjenjat e një nëne të re, që merr vesh se fëmija i ka vdekur. Më pak akoma jepte skena e fundit e operës. Regjisori e ka realizuar në mënyrë krejt artificiale: Shën Mëria që i plotëson një dëshirë murgeshës-viktimë, i sjell fëmijën pranë vetes, është një nuse me fustan e vello të bardhë.

Pjesa “Kapota” trajton vdekjen në një tjetër formë, nga vrasja. Bashkëshorti xheloz (Sahap Cuneyt Unsal) vret të dashurin (Armaldo Kllogjerin) e bashkëshortes. Interpretimi shumë i mirë i dy këngëtarëve nuk mbështeteshin si duhet nga ariet e zbehta të Xhorxhetës (Shpresa Beka).

Puccini jo pa shkak mund të kete vendosur në fund të triptikut “Gianni Schicchi” (Xhani Skiki) pasi dalja e tij ndryshon kryekëput gjendjen shpirtërore të publikut. Në skenë ka më shumë veprim dhe muzika ka të papritura, sepse është një opera buffa.

Mashtruesi Xhani Skiki lë pa trashëgimi gjithë famijlarët e Buozos dhe këtë e bën duke ngritur një teatër brenda teatrit të hipokrizisë.

Këngëtarët e rinj të pjesës së fundit të “Triptikut” duket se dhanë maksimumin në të kënduar dhe në të aktruar, nën regjinë e Nikolin Gurakuqit. Secili e ndjente personazhin që po luante. Rinuço (Erti Hizmo) dhe Laureta (Erjona Gjyzeli) me interpertimin e tyre përcollën emocionet e dashurisë së parë. Mes gjithë larminë e zërave në TOB artisti që mbajti mbi shpatulla Xhani Skikin, u importua nga Bullgaria.

Baritoni 30-vjeçar, Dobromir Tzvetanov tregon se ky është një rol i vështirë për shkak të dy zërave që duhen interpretuar, aventurë që pak këngëtarë e marrin përsipër. Më tej ai tregon për rolin dhe se si e sheh botën e operës.

Si ia bën që realizon një personazh kaq familjar?

E kam realizuar këtë rol në Bullgari. Kam menduar dhe punuar për personazhin për tre muaj. Gjatë kësaj periudhe e kam studiuar mirë, sepse është një operë shumë e vështirë. Kam parë të gjitha variantet e saj që janë vënë në skenë. Kam dëgjuar dhe të famshmin Tito Gobbi, një nga më të vjetrit që ka interpretuar Xhani Skikin, sidomos për këtë ndryshim të zërit që është i mrekullueshëm. Unë jam përpjekur që ta bëj në këtë mënyrë dhe besoj se ia kam dalë mbanë.

Sa herë e ke luajtur këtë rol përpara se të vije këtu?

Tetë herë. E kam interpretuar në Bullgari dhe shpresoj vitin tjetër edhe në Spanjë.

Pse “Ganni Schicchi” është aq e ndryshme nga dy të parat?

Mendoj se Puccini ka dashur që në fillim të përcjellë tragjedinë, të tri pjesët janë tragjedi. Por për të zbavitur publikun ka sjellë Gianni Schicchin.

Në shtrat Skiki thotë tri fjalë latinisht...

Anulanc revocan ereditanc. Me këto fjalë ai kërkon të anulojë testamentin e mëparshëm dhe të hartojë një të ri.

Ti the se ke parë shumë versione të rolit nga baritonë të tjerë. A je influencuar prej tyre? A mendon se ke realizuar një personazh origjinal?

Jo. Nuk kam marrë asgjë nga ata. Fizikisht jam shumë i gjatë, kam një paraqitje shumë ndryshe nga ata që e kanë interpretuar më parë. Nuk mund të lëviz dhe të hidhem njësoj si ata bëjnë. Unë kam gjetur mënyrën time për ta interpretuar, Skiki im të bën pak për të qeshur por bëra aq sa kisha mundësi

Cila është pjesa më e bukur e këtij karakteri?

Pjesa më e bukur për mua fillon në momentin kur hyn noteri dhe deri në fund. Kur unë (Skiki) këndoj arien “Tani e kam të qartë se çfarë duhet të bëj...” dhe deri në fund. Por edhe fillimi kur të afërmit kërkojnë testamentin është shumë interesant. Brenda një ore autori ka bërë diçka të mrekullueshme.

Ishte ftohtë në skenë?

Në skenë nuk bënte ftohtë por në plate po.

Krijove një ide për Teatrin e Operës dhe të Baletit në Shqipëri?

Jam çuditur shumë nga mentaliteti për teatrin e operës. Kjo është hera e parë që vij në vendin tuaj dhe jam çuditur shumë nga i gjithë aktiviteti. Kam parë vetëm “Triptikun” por për mua mjafton. Edhe puna që ka bërë mjeshtër Nikolini me stafin e “Gianni Schicchi”-t. Dy të tjerat janë vepra fikse, nuk ka shumë lëvizje dhe nuk mund të bësh shumë gjëra. Me gjithë skenografinë dhe ngarkesën e të tria pjesëve unë mendoj se ka bërë një punë të mirë.

Ndodhesh këtu jo vetëm për interesa të shkëmbimit kulturor por edhe për faktin se mungojnë zërat për një Skiki.

Këtë rol nuk e marrin përsipër shumë artistë. Kolegët e mi kanë frikë nga ndryshimi i zërit, sepse Skiki mund t’ua dëmtojë. Nuk dua të them që në Shqipëri nuk ka zëra. Unë mora vesh që në fillim se ishte një bariton që do të luante rolin por fatkeqësisht u sëmur. Mbi të gjitha për të realizuar rolin e Skikit duhet të kesh shumë kohë të lirë që t’i kushtohesh.

Po në Bullgari si është situata?

Edhe ne kemi shumë këngëtarë që këndojnë jashtë vendit, ftojmë edhe të huaj. Pak a shumë e njëjta situatë është edhe atje.

Ku i ke kryer studimet?

Në këtë profesion studiohet gjithë jetën. Kam mbaruar konservatorin në Bullgari dhe më pas kam studiuar dy vjet në Verona.

Je pjesë e Teatrit të Sofjes?

Jo, jam këngëtar i lirë.

Çfarë rolesh ke realizuar?

Rigoleton, një rol shumë interesant por shumë i vështirë, baronin Skarpia te “Toska”, Belkoren tek “Elisir d’Amore”, Zhermonin te “Traviata”, Marçelon te “La Boheme”, Figaron te “Berberi i Seviljes”. Ndërsa për momentin po përgatis rolin e Don Zhuanit tek vepra me të njëjtin emër dhe “Ballon me maska” në Bullgari.

Roli më i bukur për ty?

Nuk mund të them që njëri është më i bukur se të tjerët, por për mua roli më i preferuar për të gjithë baritonët është Rigoleto. Gjithë pjesa muzikore është e bukur dhe e vështirë. Duhet të bësh shumë kujdes për të mos prishur zërin.

Është e vështirë të jesh këngëtar opere?

Sigurisht, jo vetëm në Bullgari por në të gjithë botën. Është e vështirë të gjesh punë, agjenci, sepse pa agjenci nuk mund të gjesh punë dhe të këndosh në teatro të mëdhenj. Nuk gjenden role të mira dhe këto role duhen bërë në skenë dhe për të gjetur skenën ke nevojë për agjencinë. Është një rreth ku është shumë e vështirë të gjesh rrugën.

Bullgaria është tashmë në familjen Evropiane, e ka lehtësuar ky fakt gjetjen e punës?

Kur bëj audicion për një rol askush nuk më pyet nëse jam qytetar i një vendi që është apo nuk është në Evropën e Bashkuar, por shohin të veçantat në mënyrën e interpretimit. Për profesionet e tjera ndoshta kjo përbën lehtësi, por jo për ne. Lehtësimi i vetëm është që nuk kam nevojë për vizë për të shkuar në Itali, Gjermani apo Zvicër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›