E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Politika shqiptare nuk ka kujtesë për premtimet

Debati i nxehtë politik në kryeqytet, për disa nga çështjet që janë në rend të ditës së diskutimeve mes forcave politike, nuk ka penguar aspak Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, që të vazhdojë misionin tij të komunikimit me qytetarët, në kuadër të “Dialogut me Shqipërinë”. Ai ka qenë i pranishëm dje në një nga mbledhjet e Bordit Qytetar të qytetit të Elbasanit, ku ka bashkëbiseduar me anëtarët e këtij bordi për problemet që kanë ata në komunitetet e tyre shoqërore. Gjatë fjalës së tij të mbajtur në këtë takim, shefi i selisë rozë ka vënë theksin tek nevoja për kapërcimin e barrierave që ka krijuar politika për të mbajtur larg qytetarët nga vendimmarrja. Sipas tij, është e domosdoshme që hapësira e diskutimit politik të jetë pronë edhe e qytetarëve dhe jo vetëm e politikanëve. Vetëm në këtë mënyrë, ka deklaruar Rama, do të bëhet e mundur që të thithen qëndrimet dhe vlerësimet më optimale për zgjidhjen e atyre problemeve që has shoqëria njerëzore në rrugën e saj të zhvillimit.

Një nga gjërat që duhet të përbëjë shqetësim të përbashkët, si për politikën ashtu edhe për qytetarët, sipas Ramës, është lufta për t’u dhënë kujtesë politikanëve për premtimet që bëjnë. Në këtë sens, ai ka theksuar se ky është dhe qëllimi kryesor i politikës së re që po aplikon Partia Socialiste. “Duhet të ketë një fuqi qytetare për të komunikuar tek komuniteti nevojën për të pasur memorien, lidhur me ata që kërkojnë votën. Çfarë kanë premtuar dhe pse nuk duhet apo duhet t'ua japim votën. Dhe këtë duhet ta bëjnë sa më shumë njerëz, për t'i dhënë një cilësi tjetër marrëdhënies me ata që votohen dhe ato që votojnë, të zgjedhur dhe zgjedhësit”, - tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›