Gusht 1997, kur luftohej për dosjet e spiunëve
Debatet në Kuvend për shkarkimin e Hajri Mezinit dhe zëvendësimin e tij me Nafiz Bezhanin
Historitë me “spiunë” janë rikthyer disa herë në Parlamentin e Shqipërisë. Shumë politikanë nuk arritën të futeshin aty, më se një dekadë më parë, vetëm, për histori dosjesh, disa të vërteta dhe shumë të tjera të sajuara për të ndëshkuar politikisht kundërshtarët. Dosjet janë sërish në skenë dhe nesër në seancë plenare do të debatohet po për dosjet, spiunët, figurat e pastra dhe të përlyera, një lloj si më se 11 vite më parë, kur në Kuvend hiqej Hajri Mezini si Kryetar i Komisionit të Verifikimit të Figurave dhe në vend të tij zgjidhej Nafiz Bezhani. Debatet e sotme janë po ato që bëheshin në gusht 1997, dhe shumë prej diskutuesve janë edhe sot të pranishëm në atë Kuvend, ku siç thotë deputeti Majko, ka shumë spiunë.
Seanca e pasdites, e hënë 18 gusht 1997
Ferdinand Xhaferri- Më vjen keq se e marr për herë të parë fjalën në këtë legjislaturë dhe e filloj me vërejtje. Mua nuk më duket fare serioze që të gjitha materialet, që i kam parë me vëmendje të dokumentuara këtu, kanë një ndryshim të rendit të ditës. Edhe sot 30 minuta përpara u nda materiali që përcakton rendin e ditëstë seancës dhe pikat kryesore për disa ndryshime qoftë për ligjin “për gjenocidin”, edhe “Për kontrollin e figurës zyrtare” eliminohen dhe kalohet në emërimin e Kryetarit të Komisionit të Verifikimit të Figurave. Unë mendoj se do të ishte më e drejtë që çështja të trajtohej në bllok, pra të merrej njëherë me infrastrukturën, pra më përmbajtjen e këtij ligji, sepse Kryetari punon në zbatim të këtij ligji dhe pastaj të diskutohej vendosja e njerëzve. Dhe kjo logjikë pasurohet edhe me faktin se lë disa nënkuptime që nuk kemi dëshirë t’i paragjykojmë. Kur në rendin e ditës nuk thuhet asnjë fjalë dhe sot shmangen nga rendi i ditës për t’u marrë me një çështje që nuk është shprehur këtu. Kur mendoj që radha i takon të bëhen ndryshimet në ligj, siç propozohet, dhe çdo njeri do të shprehë komentin e tij dhe pastaj të vendoset për kreun e këtij komisioni që do të ndërtojë veprimtarinë e tij, në bazë të këtij projektligji që do të miratohet…
Pandeli Majko- …Unë mendoj se nuk përbën ndonjë shqetësim ideja se duhet miratuar ligji nje herë apo ndryshimi në ligj dhe pastaj duhet miratuar komisioni i përshtatshëm dhe drejtuesi i tij. Në fund të fundit, kjo, PD-së nuk i bën ndonjë gjë, sepse ne po miratojmë komisionin me ligjin, ashtu siç e ka miratuar Partia Demokratike. Ndryshimet i ka miratuar tani më opozita e djeshme, ose më saktë pozita e sotme, kështu që politikisht mendoj që PD-ja nuk duhet të ndihet e shqetësuar apo e anashkaluar në këtë çështje. I propozoj kryesisë që debatit tanimë t’i arrijmë më në fund dhe të kalojmë në miratimin e Kryetarit të ri të Komisionit të Figurës Zyrtare dhe të Personave të tjerë.
Skënder Gjinushi- …Komisioni, i cili funksionon prej 5 vjetësh, nuk ka të bëjë me ndryshimet ligjore, sepse ai funksionon, pavarësisht nëse ndryshohet ose jo ligji. Kështu që, procedojmë me çështjen e parë, që është zgjedhja e Kryetarit të ri të Komisionit të Kontrollit dhe Verifikimit të Figurave.
Pandeli Majko- …Sikur e dini, kontrolli i figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lindi me mbrojtjen e shtetit demokratik, në bazë të ligjit nr.8043, datë 30.11.1995, në ndryshimet e bëra me ligjin 8220, datë 13.5.97, bëhet nga një Komision Shtetëror. Kryetari i këtij komisioni shtetëror është aktualisht zoti Hajri Mezini. Praktika e punës së derisotme e këtij komisioni, ka treguar se jo në pak raste janë mbajtur qëndrime që nuk kanë qenë në përputhje me dokumentacionin dhe të dhënat që ka mbledhur ky komision. Në këto konkluzione mbërrijmë duke pasur parasysh faktin se Gjykata e Kasacionit, si në prag të zgjedhjeve të 26 majit 1996, ashtu dhe në zgjedhjet për Kuvendin Popullor të 29 qershorit 1997, shumë vendime të këtij komisioni i ka gjetur jo të drejta, të pabazuara, pra jo objektive dhe i ka anuluar ato. Në rrethana të tilla, duke pasur parasysh dhe nenin 4 të ligjit nr. 8043, datë 30.11.95, i cili nëpërmjet të tjerash përcakton se Kryetari i këtij komisioni caktohet dhe hiqet nga Kuvendi Popullor, propozojmë heqjen e zotit Hajri Mezini. Bazuar në nenin 4 të ligjit nr. 8043, datë 30.11.95 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik, ju propozojmë si Kryetar i Komisionit Shtetëror për Verifikimin, përshkueshmërinë e fakteve për personat që i nënshtrohen zbatimit të këtij ligji, të caktohet zoti Nafiz Bezhani në vend të zotit Hajri Mezini, për të cilin me kërkesën që ju keni dërguar të parashtrojmë arsyet e heqjes së tij…(Më poshtë lexohet jetëshkrimi i tij)…
Jemin Gjana- Zoti Kryetar, këtu u shprehën shumë kolegë që çështja është pak e nxituar, por ajo që e bën akoma më të pajustifikueshme, është ajo, që e gjithë sa u lexua nga zoti Majko, unë e disponoj normalisht, sepse e ka disponuar Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që ka marrë pjesë në mbledhjen e kryesisë javën që shkoi, por asnjë nga kolegët deputetë nuk disponon asnjë nga këto materiale. Kështu që mua më duket se është një mungesë serioziteti në diskutim. E fusim në rendin e ditës pa qenë e futur në materiale, dakord është një harresë e sekretarisë, por të diskutojmë pa pasur përpara asnjë nga këto materiale, as kurrikulumin e atij që propozohet, as motivet e atij pse shkarkohet, as argumentimet e tjera shtesë. Kjo mua më duket se nuk është serioze. Kjo tregon, në qoftë se mazhoranca ka një megalomania të tillë, mund t’i bëjë gjërat sepse ka kartonin, kjo është çështje tjetër, por kështu nuk mund të bëhet.
Skënder Gjinushi- Zoti Gjana, unë jam i detyruar të jap sqarimet e mëposhtme. Kjo është futur në rend të ditës që javën që shkoi dhe ju nuk kishit ardhur akoma në Parlament si Grup Parlamentar kur ishte propozuar një gjë e tillë. Me ardhjen e grupit të Partisë Demokratike, zoti Pollo ngriti pikërisht këto pretendime, madje desh të dinte CV-në e Nafiz Bezhanit. Atëherë i kemi thënë që gjithkush ka të drejtë të propozojë, propozimet le të depozitohen, madje të jenë edhe të argumentuara. Për këtë gjë u la edhe një takim midis krerëve të grupeve. Edhe unë e kam marrë vesh nga zoti Pollo të nesërmen që disponohej më në fund CV-ja e Nafiz Bezhanit dhe që grupi Socialist dhe Socialdemokrat kishte depozituar këtë propozim së bashku me të dhënat përkatëse. Dhe kjo ka ndodhur të enjten e kaluar, zoti Pollo që nuk është në sallë si Kryetar i grupit tuaj, është në dijeni të plotë të këtij propozimi, së bashku me dokumentet që paraqiten sot në seancë plenare. Rrjedhimisht, ne si kryesi nuk kishim pse ta zvarrisim më tej futjen e saj në program, gjë që u rishqyrtua prapë sot dhe kur përfaqësuesi juaj, zoti Vejsiu është në dijeni të kësaj dhe, në qoftë se ju ende nuk e keni përpara grupit materialin përkatës, zoti Pollo duhet të përgjigjet për këtë. Me grupin ai shqyrton propozimet që kanë ardhur, ai është që të vërë në dijeni grupin për propozimet e bëra.
Ferdinand Xhaferri- Zoti Kryetar, këtu nuk është çështja për të paragjykuar, sikurse e kemi plotësisht të qartë që brenda kuadrit ligjor ekzistues, Parlamenti, me shumicë votash e ka të hapur, ekzistojnë hapësirat që të zëvendësohet Kryetari i Komisionit, kjo është njëra çështje dhe e kuptojmë. Problemi shtrohet që përgatitja e procedurave të punës për të konkluduar realisht atë që thuhet shpesh nga drejtuesit e pozitës së sotme për një frymë integrimi dhe bashkëjetese, pra përgatitja e procedurave të punës që të jemi të informuar. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike nuk përgatit procedurat e punës. Unë kam kontrolluar me vëmendje të gjitha materialet dhe sot unë kam marrë mesazhin që të vij në seancë parlamentare i përgatitur për të diskutuar për dy projektligje që ju m’i keni dhënë në rend të ditës dhe i kam të shkruara, kurse Kryetari i Grupit Parlamentar të pozitës thotë që ne duam të zëvendësojmë filanin për këto arsye. Nuk mendoj se kjo është fryma që duhet të ekzistojë, për sa i takon bashkëpunimit në Parlament. Ju lutem, duhet të na kuptoni, nuk ka asgjë për të na paragjykuar. Thashë edhe njëherë, hapësirat ligjore janë hapësira ligjore, vendimi që do të marrë shumica parlamentare është vendim që do të marrë shumica parlamentare, kurse procedurat e punës ngelen procedura pune.
Skënder Gjinushi- …Ligji nuk obligon asnjë lloj procedure dhe në tërësi ne e kemi debatuar këtë edhe në raste të tjera. Në përgjithësi, në tërë nomenklaturën që zgjidhet nga Kuvendi Popullor, nuk ka procedurë ligjore të obligueshme, pra nuk tregohet ku bëhet propozimi, ku depozitohet, megjithatë ne e vumë një obligim, thamë: Kushdo që do të propozojë, të sjellë me shkrim dhe ua servir edhe grupeve të tjera. Këtë e arritëm, e realizuam më tej, pastaj vëmë kushte të tjera, sepse kështu do të shkelja ligjin si kryesi, bashkë me zotin Namik.
Pandeli Majko- Unë nuk dua të keqkuptohem me kolegët e mi të opozitës. Këtu problemi mua më duket i qartë. Nuk bëhet fjalë për asnjë mungesë partneriteti apo integrimi. Zyrtarisht, Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike i janë paraqitur të gjitha ato çfarë kam lexuar unë deri tani. Në qoftë se deputetët e Partisë Demokratike ndihen të fyer që nuk i kanë marrë të fotokopjuara të tria këto dokumente, të cilat sapo unë i lexova…Unë mendova që për hir të një konsensusi e respekti, t’i lexoja vetë si Kryetar i Grupit Parlamentar dhe nuk ju thashë merrini lexojini se do t’ua fotokopjojmë. Prandaj, zoti Kryetar, mendoj se nuk ka nevojë për asnjë ndjenjë keqkuptimi apo fyerjeje, mendoj që ta kalojmë në miratim.
(Në pjesën e dytë të debateve për zëvendësimin e Kryetarit të Komisionit të Verifikimit të Figurave, do të jenë diskutimet për shpërdorimin e mandatit të Komisionit, nga verifikimi i figurave të zyrtarëve të lartë, te shërbimi i partisë në pushtet, për të eliminuar kundërshtarët politikë. Kundërshtimet për figurën e avokatit Bezhani, i cili kishte qenë avokat i familjes së Arben Brocit në gjyqin për masakrën e 2 prillit 1991)