Komisoni i Figurave, gjueti shtrigash në politikë
Debatet në Kuvend për kreun e ri të Komisionit të Verifikimit të Figurave
(Vijon nga numri i kaluar)
Në pjesën e dytë të debateve për zëvendësimin e Kryetarit të Komisionit të Verifikimit të Figurave, pika qendrore e diskutimeve është shpërdorimi i mandatit të Komisionit, nga verifikimi i figurave të zyrtarëve të lartë, te shërbimi i partisë në pushtet, për të eliminuar kundërshtarët politikë. Kryetari i ri i Komisionit, i propozuar nga PS-ja, është avokati Bezhani, i cili kishte qenë avokat i familjes së Arben Brocit në gjyqin për masakrën e 2 prillit 1991, por edhe kjo nuk e bind PD-në, e cila kërkonte të mbante të njëjta figura për të “verifikuar” figurat.
Arben Imami- …Problemi nuk mund të qëndrojë nga pikëpamja proceduriale, por substanca mbetet gjithsesi e njëjtë. Partia Demokratike dhe grupi i saj është informuar për propozimin që do të bëhej sot që prej ditësh dhe do të ishte mirë që, në radhë të parë, të bëheshin vërejtje pozitive ose negative. Pastaj mund të flitej edhe për procedurë, gjë që mund ta quajmë të detyrueshme nga grupi i PD-së. Tani unë dua të evidentoj faktin që e njoh personalisht avokat Bezhanin: Është njeri i ndershëm, është nga ata njerëz që ka vuajtur dhe është persekutuar nga regjimi komunist, është një njeri që diti të mbrojë me profesionalizëm dhe me qytetari të lartë interesat e familjes Broci në procesin e Shkodrës edhe për të gjitha këto cilësi është e admirueshme që Grupi Socialist propozon pikërisht një njeri të tillë.
Hysen Selfo- Unë nuk do të doja të paragjykoja zotin Bezhani për arsye se nuk e njoh fare, sot para dy minutash, më ra fleta që tregon se kush është zoti Bezhani. Po unë do ta trajtoja këtë problem në një aspekt tjetër, në krye të Komisionit të Verifikimit të Fagurave ka qenë zoti Mezini, një i përndjekur politik gjatë 50 viteve të diktaturës komuniste. Sot ky zëvendësohet me një njeri tjetër, të cilin unë nuk dua ta paragjykoj, siç e thashë edhe përpara se unë nuk e njoh. Ditën e shtunë, në Kryeministri, ne patëm nderin të asistonim një këmbim dokumentesh ose aktesh për krijimin e institucionit për të përndjekurit politikë, me në krye, të nderuarin Kurt Kola, pjesëmarrës në shumë tubime, në të cilat dha edhe ai kontributin e tij madhor për ta vënë Shqipërinë në zjarr. Kurt Kola, i përjashtuar nga Shoqata e të Përndjekurve Politikë, vihet në krye të këtij institucioni, për të cilin jemi krejt kundër. Tani ne jemi përpara një fakti tjetër: Na vihet në diskutim heqja e zotit Hajri Mezini. Ne, si të përndjekur politikë dhe si përfaqësues të Partisë së Ballit Kombëtar, e të Djathtës së Bashkuar Shqiptare, kërkojmë edhe njëherë të rishikohet kandidatura dhe të na jepet mundësia që edhe ne të paraqesim kandidaturën tonë për kryesinë e këtij komisioni. Pse e them? Se duhet patjetër në krye të këtij komisioni të jetë një i përndjekur politik, një person që ka vuajtur në kurriz çizmen e diktaturës komuniste, siç ishte zoti Hajri Mezini.
Azem Hajdari- Zoti kryetar, me të drejtë deputeti Ferdinand Xhaferri shtroi një problem. Po t’i referohemi vërejtjeve të Komisionit të Ligjeve, ose prononcimit të disa ditëve më parë të zotit Fehmi Abdiu, e rëndësishme për këtë seancë ishte të kishit parasysh propozimet e bëra për ndryshimet në ligj, sepse këto propozime, siç u tha edhe atë ditë, kapin dhe ligjin “Për pushtetin lokal” dhe besoj se këtij Parlamenti i duhet një punë relativisht e mirë për ta kthyer atë ligj në rrugën që duhet.
Për sa i përket prononcimit të zotit Pandeli Majko rreth problemeve të zëvendësimit të Kryetarit të Komisionit, unë mendoj që motivacioni që jep zoti Majko për shkarkimin e ish-Kryetarit, është i mangët. Ai, në prononcimin e tij, thotë se ndaj Komisionit të Verifikimit të Figurave qenkan bërë disa ankesa në Gjykatën e Kasacionit, e cila paska marrë vendime të kundërta në kundërshtim me komisionin. Unë mendoj se kjo është detyra ligjore projektligjit që, në rast se një komision, siç është Komisioni i Verifikimit të Figurave, pa tendenca, siç ka ndodhur, ngatërron emrin ose mbiemrin e dikujt; janë në një libër regjistrimi dy emra të njëjtë, atësi të njëjta dhe mbiemra të njëjtë dhe mosha ose vendlindja ose vendbanimi janë të ndryshme, ka një ngatërresë dhe Gjykata e Kasacionit, si institucion i ankimit, zgjedh në favorin e personit që e ngre këtë çështje nëpërmjet një vendimi gjyqësor, atëherë mendoj se nuk e penalizon kjo komisionin. Komisioni penalizohet nëse nga ky komision kanë dalë të dhëna me karakter tepër sekret për dosjen, dokumentacione dhe regjistra që ai ka disponuar për këto 4 vjet që ka ushtruar aktivitetin e tij në bazë të ligjit. Nëse ka të dhëna të tilla se ky komision, ose ish-Kryetari i Komisionit e ka shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, të dhënë nga ky Parlament, që të dhënat e karakterit tepër sekret, që kanë cenuar figurën e personit janë dhënë në mjetet e shtypit ose në gazeta të pavarura, për të cenuar personalitetin e kujtdo të kandiduari për deputet, kryetar bashkie, ose funksione të larta shtetërore, atëherë unë mendoj që ky Parlament, nëpërmjet një grupi ose nëpërmjet ankimeve, në rast se ka ankime rreth punës së komisionit, flas për detyrat dhe të drejtat që ky komision kishte përcaktuar me ligj, mund të merret për t’u analizuar puna e këtij komisioni për periudhën e ushtrimit të aktivitetit të tij, në bazë të ligjit dhe jo për çështje që janë atakuar, sepse ne e dimë se këto çështje atakohen në Gjykatën e Kasacionit dhe është në dinjitetin e saj që u ka dhënë përgjigje pozitive, janë atakuar dhe në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo përsëri ka ditur të japë përgjigje pozitive, në bazë të klauzolave që ishin parashikuar në ligjin “Për gjenocidin”. Pa dashur të hyj te mbrojtja e kandidaturës ekzistuese, ose ajo çka u tha për kandidaturën tjetër, unë do t’i kërkoja këtij Parlamenti të nderuar që, kryesisht të merret me thelbin e institucionit. Ky institucion, gjatë këtyre viteve, pësoi deformacione, apo ruajti në mënyrë korrekte problemin e ligjit. Shtatëshja e këtij komisioni dihet që ishte kryetari dhe nga ky Parlament persona të tjerë të vendosur nga Kryeministri, ministri i Drejtësisë, ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes, Prokurori dhe Kryetari i Shërbimit Informativ. Dhe nëse ka probleme të shkeljeve ligjore, kush krah i përfaqësimit në komision ka bërë shkelje të tilla ligjore në dëm të individit. Përsa i përket motivacionit që jepet për shkarkimin e kandidaturës së zotit Hajri Mezini, i cili ishte ish-zëvendësministër në Ministrinë e Rendit Publik, për problemet e ekonomisë dhe të prapavijës dhe më vonë kryetar i këtij komisioni, është personi më pak i atakuar nga pozita dhe opozita në shtyp. Një figurë tepër e rëndësishme, e një shtrese të të përndjekurve politikë, e propozuar prej tyre, aktualisht me probleme shëndetësore, mendoj se me problemet që ka pasur, Kuvendi duhej të kish pasur më tepër konsulencë të ndihmojë, sepse nuk është morale problemi për të diskutuar sot, megjithatë mazhoranca ka të drejtën e saj që të bëjë propozim. Dua të theksoj një fakt këtu, që ndoshta ia vlen për Parlamentin: Zoti Imami tha këtu që me zotin Nafiz Bezhani kam njohje personale. Është e vërtetë që zoti Nafiz Bezhani, për të cilin nuk kam arsye të kem rezerva është propozuar nga zoti Imami kur ishte dikur me ne, një institucion që kishte avokati i familjes së dëshmorit për demokraci, zotit A.Broci. Tipi rebel i këtij juristi, në thelb është për t’u vlerësuar. Nuk e kam fjalën për rebelë të tillë, që zoti Pandeli Majko mund të kuptojë, por do të thoja se në rast se 2 prilli deri sot ka enigmat e veta, është një plagë që rrjedh si kalaja e Rozafës, avokati i tij të merret dhe të vendoset në institucionin e verifikimit të figurave. Unë do të thoja që këtu ka një gjë që nuk shkon. Mazhoranca mund ta studiojë mirë, nuk e kam fjalën për të atakuar personin e tij, por atakohet një problem nga më madhorët, hapet një problem i ri, që është problemi i 2 prillit. Ai që ishte avokat i familjes së dëshmorëve, merret dhe vendoset nga socialistët. Do mendojnë të gjitha palët që, ja shpërblimi për zotin Nafiz Bezhani. Për moshën e vjetër që ka Nafiz Bezhani dhe për kalvarin që ka pësuar Nafiz Bezhani, meriton këtë lloj shpërblimi….
Pandeli Majko- …Unë, personalisht, me zotin Hajri Mezini nuk kam asnjë problem. Problemi është i tillë: Puna e komisionit që ka drejtuar zoti hajri Mezini, ka sjellë një efekt të tillë në politikën shqiptare. Sot nuk merr vesh kush është spiun dhe kush është i pastër në politikën shqiptare, sepse me punën dhe mënyrën sesi ka realizuar këtë punë kjo shtatëshe…(e lë mendimin përgjysmë). Ne dimë shumë se edhe në këtë Parlament ka spiunë. Për sa i përket idesë se paskemi shpërblyer zotin Nafiz Bezhani, një gjë nuk kuptoj në moralin e drejtuesve të Partisë Demokratike. Mos daltë njeri që deri dje ka qenë përkrah gjërave më të shenjta që ka pasur në fillimet e demokracisë në Shqipëri dhe një minutë apo një sekondë të jetë kundër interesave të tyre dhe ata nuk denjojnë t’i hedhin sytë, por e hedhin sikur të ishte një gjë pa vlerë. E pra, e bëjmë apo nuk e bëjmë Nafiz Bezhanin kryetar të atij komisioni, ai mbetet ai që është. Ngelet ai avokati i 2 prillit, ai njeri që do të vendosë se kush është spiun dhe kush është i ndershëm në politikën shqiptare.
Mark Ndoka- Pasi u bë fakt i kryer që zoti Nafiz Bezhani u propozua nga Grupi Parlamentar i PS-së, unë kisha vetëm dy vërejtje: E para, për moshën e tij. Ai, për 3-4 muaj feston 70-vjetorin e lindjes. E dyta, është një partizan i vjetër, i lodhur, nuk e di a e përballon dot detyrën e tij. (salla reagon).
Skënder Gjinushi- Do të përgjigjet propozuesi, nëse do ta përmbushë apo jo detyrën. Megjithatë, ajo detyrë nuk do shumë sforco fizike, mjafton të jesh i ndershëm dhe me karakter. Nuk do sforco fizike, sepse dosjet nuk ngrihen në krah, vetëm hapen me kujdes.
Muhamet Bela- Unë gjykoj që ndryshimi i Kryetarit të Komisionit është i domosdoshëm për këto arsye: Së pari, një Komision Shtetëror i Verifikimit të Figurave do të ngrihet për të verifikuar realisht figurat dhe jo për t’u shndërruar në një komision shtatëshe kaldaistësh, e kam fjalën në nivelin profesional, për të thyer dinjitetin e njerëzve, sepse kur një element i caktuar, në një kohë të caktuar, e vendos në Tiranë dhe në Nju Jork brenda ditës, kjo tregon që ai komision ka përfunduar profesionalisht dhe nuk është profesion dinjitoz. Në pikëpamje profesionale, mua më vjen keq që Hajri Mezini qenka një i persekutuar i regjimit të djeshëm, sinqerisht më vjen keq se unë nuk e njoh fare, po të arrish në absurditet, të fyesh dinjitetin e personave që i njeh opinioni publik, që i njeh puna e tyre, ai komision sigurisht nuk është Komision i Verifikimit të Figurave, por është një vegël qorre e pushtetit.
(Në numrin e nesërm do të lexoni debatet për punën e komisionit të drejtuar nga Mezini, si u abuzua me termin “spiunë”, si u kthyen dosjet nga gjykatat dhe gjyqet skandaloze me të akuzuarit si bashkëpunëtorë të Sigurimit).