E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja ekonomike, INSTAT "bie" në delir: është 6%

Bota mund të jetë në krizën më të thellë në shtatëdhjetë vjet, por ekonomia shqiptare, jo! Absolutisht jo! Përkundrazi, sipas të dhënave të grumbulluara dhe përpunuara nga Instituti i Statistikave, po përjeton një bum të jashtëzakonshëm. Përkundër të gjitha pritshmërive të të gjithë ekspertëve, institucioneve ndërkombëtare, apo edhe ndryshe nga parashikimi optimist i qeverisë, ekonomia shqiptare duket se ka shënuar një rritje të lakmueshme edhe në kohë normale, kjo sipas shifrave zyrtare.

INSTAT njoftoi dje se rritja ekonomike për tremujorin e parë të këtij viti është 6 për qind, shifër kjo shumë më e lartë edhe se parashikimi më optimist. Sipas INSTAT, ndërtimi është rritur me 8 për qind, bujqësia me 3.5 për qind, telekomunikacioni me 22 për qind dhe dega e shërbimeve me 15.3 për qind.

INSTAT vëren gjithashtu se sektori i industrisë ka rënë me 13.2 për qind, tregtia (ku përfshihen hotelet dhe restorantet) ka pësuar një rritje modeste prej 0.9 përqindësh, ndërsa transporti u rrit me 3.3 për qind.

Ndërsa INSTAT raporton rritje të ndërtimit me 8 për qind, Shoqata e Ndërtuesve e raportoi tremujorin e parë të këtij viti si periudhën më të keqe të hasur ndonjëherë, ndërsa bankat raportuan rënie me 60 për qind të kredive për prona të patundshme. Çmimet e apartamenteve janë në rënie të ndjeshme dhe në shumë kantiere puna është ndërprerë për shkak të mungesës së parave. Por ky nuk është ndonjë tregues tërësor. Te rritja e raportuar në sektorin e ndërtimit në fakt përfshihet edhe sektori publik, pra ndërtimi i rrugës Rrëshen-Kalimash.

Një rritje "spektakolare!"

Rritja prej 6 përqindësh e PBB-së në terma reale kapërcen edhe parashikimet më optimiste. Për këtë vit, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar rritje ekonomike prej 0.4 përqindësh ndërsa qeveria shqiptare ka parashikuar rritje prej 4.8 përqindësh. INSTAT e publikon PBB-në tremujore për herë të tretë në historinë e vet. Të dhënat grumbullohen nga institucionet e tjera shtetërore dhe rishikohen tri herë para publikimit të statistikave finale. Nga publikimet e mëparshme vlen të theksohet se pothuajse të gjitha rishikimet kanë qenë në ulje dhe dallimet kanë qenë të shumta. Kështu, për PBB-në e periudhës korrik-shtator 2008, fillimisht u deklarua rritje 9.9 për qind, por në rishikimet e më vona, rritja u reduktua në 7.3 për qind, por për vlerësimin final duhet të presin edhe shumë kohë. Një diferencë e tillë nënkupton raportim fillestar të fryrë prej dhjetëra milionë dollarësh.

Diferencat e mëdha pasqyrojnë shkallën e lartë të parregullsive në grumbullimin dhe njoftimin e informacionit statistikor nga institucionet publike, duke përfshirë tatimet, ministritë etj.

"Duhet theksuar fakti që të dhënat që përdoren për vlerësimin e PBB tremujore janë kryesisht të dhëna administrative", tha INSTAT në publikimin e djeshëm.

Një konflikt interesi

Ndërsa INSTAT raporton rritje ekonomike marramendëse në kohë krize, të ardhurat e buxhetit të shtetit nuk e kanë pasqyruar fare diçka të tillë. Përkundrazi, ato flasin për rënie drastike të aktivitetit ekonomik. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, për periudhën janar-mars të këtij viti, të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar qenë 24.4 miliardë lekë, me rritje prej vetëm 1.7 përqindësh kundrejt së njëjtës periudhë të vitit 2008, ndërsa duke pasur parasysh edhe inflacionin, rritja në terma realë ka qenë zero. TVSH është një taksë që mbahet mbi shitjet në ekonomi dhe përfaqëson besnikërisht ecurinë e aktivitetit ekonomik. Në rast se rritja ekonomike ka qenë 6 për qind, atëherë së paku 600 milionë dollarë mallra e shërbime kanë kaluar pa paguar TVSH.

Ministria e Financave dhe INSTAT kanë filluar të japin shenja të një "konflikti" për sa i përket rritjes ekonomike, ku Financat janë përpjekur ta zbusin rritjen spektakolare ekonomike të raportuar nga INSTAT, edhe pse kjo ministri është përgjegjëse për statistikat e raportuara "në rrugë administrative".

Një interes politik

Si rrallëherë në politikën botërore, vetë Kryeministri dhe ministri i Financave kanë shprehur interes të veçantë për shifrat e publikuara nga INSTAT për rritjen ekonomike, duke krijuar një situatë joreale.

"Ka qenë bindja ime absolute se ka një nënvlerësim të rritjes ekonomike në Shqipëri. Unë kam shumë fakte për të numëruar për

sa i përket këtij nënvlerësimi", deklaroi disa kohë më parë Kryeministri Sali Berisha. Interesi i veçantë politik për një shifër kaq teknike ka rënë në sy edhe të vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët tashmë i marrin me rezerva të dhënat e publikuara nga institucionet shqiptare.

Paralajmërimi

Banka Qendrore thotë se qeveria shqiptare nuk i ka mundësitë të mbështesë me financime ekonominë

BSH: Qeveria nuk ka para për të ndihmuar ekonominë

Për shkak të asaj që bëri vitin e kaluar, qeveria shqiptare nuk i ka mundësitë të mendojë për të ndihmuar ekonominë kombëtare në një vit krize si ky. Ky është qëndrimi i Bankës së Shqipërisë në raportin e fundit mbi Stabilitetin Financiar.

"Rritja e deficitit buxhetor në vitin 2008 në krahasim me një vit me parë përfaqësoi një politikë fiskale ekspansioniste e cila mbështeti rritjen e ekonomisë së brendshme. Ngadalësimi i pritshëm i rritjes ekonomike dhe vështirësitë që po ndesh sektori real i ekonomisë, vendosin nën presion të ardhurat publike, duke rritur vështirësitë për realizimin e tyre sipas planit të buxhetit për vitin 2009", thotë Banka e Shqipërisë në raport. BSH thotë se logjika e zakonshme ekonomike sanksionon ndërhyrjen e qeverisë përmes shpenzimeve të bollshme buxhetore për të parandaluar rënie të fortë të ekonomisë, por kjo logjikë, së paku në Shqipërinë e vitit 2009, është e pabazë. Për këtë arsye, BSH këshillon që jo vetëm që qeveria të mos bëjë shpenzime shtesë, por të mundohet të mos realizojë as shpenzimet e planifikuara sakaq.

"Përshtatja e shpenzimeve publike sipas nivelit të realizimit faktik të të ardhurave dhe ruajtja e objektivit për deficitin buxhetor, do t‘i shërbente më mirë realizimit të financimit të tij me një kosto më të ulët dhe çlirimit të fondeve për përdorim në tregun e brendshëm dhe për sektorin privat", thotë BSH.

Banka Qendrore paralajmëron se çdo përpjekje e qeverisë për të rritur shpenzimet pavarësisht situatës faktike të buxhetit, do të sjellë thjesht një barrë borxhesh, të cilat do ta rëndojnë ekonominë në vitet në vijim.

Vitin e kaluar, qeveria shqiptare tejkaloi shpenzimet me 60 miliardë lekë, (rreth 600 milionë dollarë), para që u tërhoqën borxh në tregun e brendshëm apo të jashtëm. Kjo ishte maksimumi që mund të bëhej nga një vend si Shqipëria në kohë krize. "Ajo [huamarrja] u realizua në kushtet e një situate më të favorshme të financimit të deficitit, si në tregun e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm", tha BSH. Por këtë vit situata është shumë e ndryshme.

"Situata më e vështirë e likuiditetit në tregun e brendshëm financiar si edhe në tregun e huaj, po shoqërohet me rritjen e kostos së financimit të deficitit buxhetor, duke sjellë rritjen e ngarkesës fiskale në një periudhë afatmesme", thotë Banka Qendrore. Shoqëruar kjo me rënien e të ardhurave, duket se qeveria nuk ka rrugë tjetër veç shkurtimit të shpenzimeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›