E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brace: Vendimi për sigurimet, zerohet rritja e pagave

 

Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së reagon pas vendimit të qeverisë

TIRANË- Dy ditë më parë, qeveria shqiptare rriti Sigurimet Shoqërore që paguhen nga të punësuarit në sektorin privat me rreth 13%, ndërkohë që shtoi gamën e kategorive të të punësuarve që detyrohen të sigurohen, duke përfshirë për herë të parë edhe sigurimin mbi pagën minimale për të vetëpunësuarit në bujqësi. Një vendim i tillë është komentuar gjatë dje nga nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Erion Braçe, i cili ka shpjeguar se përmes zbatimit të këtij vendimi, zerohet rritja e pagave dhe pensioneve. “Bashkë me taksat u rrit dje ndjeshëm dhe paga referuese bazë mbi të cilën llogariten të gjitha taksat e tjera mbi pagën. Taksa e punës, ose siç njihet zyrtarisht kontributi për sigurimet shoqërore u rrit dje për të gjithë të punësuarit me 13 %, ose me 4004 lekë të vjetra në muaj. Në total, sigurimet ose taksa e punës u rrit dje në 33 % të pagës që merr çdo i punësuar në shtet apo privat. Referencat apo pagat referuese u rritën dje me 1690 ose 16900 lekë të vjetra, për pagën minimale dhe me 84500 lekë të vjetra, për pagën maksimale”,- tha Braçe, duke vijuar më tej. “Pra, që nga 1 Korriku i këtij viti të punësuarit me pagën minimale, në shtet dhe në privat, do të paguajnë 5560 lekë më shumë dhe ata me pagë maksimale, në shtet dhe në privat, do të paguajnë 27800 lekë më shumë”,- tha ai, duke shtuar se kësaj takse mbi pagat i shtohet edhe taksa e sheshtë, që ka nivelin 10%. “Në total, vetëm taksat mbi pagat tani arrijnë në 43% për punëdhënësit dhe punëmarrësit bashkë. Pra, që nga data 1 Korrik i këtij viti, vetëm taksë mbi pagën, taksë pune dhe tatim mbi të ardhurat personale, punëdhënësi dhe punëmarrësi do të paguajnë 43%”,- tha ai. Pikërisht për sa më sipër, Braçe citoi se pas këtij vendimi, rritja pagave që u krye vetëm në sektorin shtetëror që nga data 1 Korrik, thuajse zerohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›