Braçe akuzon Berishën se po mban peng lëvizjen e lirë në BE
Opozita akuzon qeverinë aktuale se po mban peng lëvizjen e lirë të shqiptarëve në vendet e Europës. Gjatë një deklarate për mediat, nënkryetari i grupit të PS, Erion Braçe, u shpreh se qeveria e Berishës ia mohon shansin që vendet e BE i dhanë shqiptarëve. Të gjithë shqiptarët janë njohur me vlerësimet e Komisionit të Bashkimit Europian, për zhvillimet politike, ekonomike dhe më gjerë se sa kaq në Shqipëri.
Unë do të ndalesha në një aspekt të tyre, që ka të bëjë pikërisht me lëvizjen e lirë të shqiptarëve, kudo që ata ndodhen, në Shqipëri, apo jashtë Shqipërisë. Për 45 vite me radhë, pikërisht këtu, nisën ëndrrat e shqiptarëve, të lidhura me Perëndimin apo me një jetë më të mirë. Ëndrra që nisnin dhe mbaronin pikërisht këtu, për shkak të një regjimi diktatorial, ku në më shumë se sa gjysmën e tij, Sali Berisha militoi dhe e udhëhoqi me fanatizëm të madh, duke u mohuar liri dhe të drejta shumë shqiptarëve. Për 19 vjet me radhë, ëndrrat po prapë të mijëra shqiptarëve kanë nisur pikërisht këtu, u shpreh Braçe, duke vlerësuar se për fat të mirë, të gjitha vendet e Bashkimit Europian, që përfaqësohen me selitë e tyre diplomatike këtu, i kanë dhënë një shans Shqipërisë dhe shqiptarëve, iu kanë dhënë një sërë detyrimesh që qeveritë e Republikës së Shqipërisë duhet ti përmbushnin gjatë gjithë kësaj periudhe. Detyrimet e fundit kanë ardhur jo më larg se 1 vit e gjysmë më parë. Por sipas tij, raporti i djeshëm e tregon më së miri, më së qarti, se qeveria e Sali Berishës po ia mohon këtë shans që vendet e Bashkimit Europian ia kanë ofruar shqiptarëve. Pra, një mundësi që të gjithë shqiptarët të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Europian. Për fat të keq, midis shqiptarëve dhe djalit të tij, midis shqiptarëve dhe djalit të tij politik, Sali Berisha zgjodhi interesat e djalit të tij biologjik dhe të djalit të tij politik. Në krye të të gjithë vlerësimeve që mbërritën ditët e fundit në Shqipëri nga Komisioni i Bashkimit Europian, është çështja mbi të gjitha e pavarësisë së gjyqësorit, e cënuar rëndë pikërisht për interesa personale të Sali Berishës dhe të djalit të tij të përfshirë në korrupsion, interesave personale të Sali Berishës dhe të djalit të tij politik, të përfshirë po prapë në korrupsion akuzoi Braçe.