E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edison Konomi zgjidhet në krye të PS, Durrës

Kryetari i sapozgjedhur i Partisë Socialiste në degën e Durrësit, Edison Konomi ka dalë në një konferencë për shtyp. Fillimisht ai është vetëprezantuar, duke qenë se është konferenca e tij e parë për shtyp. Konomi është diplomuar në Universitetin Politeknik Tiranë, në fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, aktualisht Drejtor në Bankën Italiane të Zhvillimit, dega Durrës, i martuar, me një djalë. Konomi është kryetar i komanduar deri në përfundim të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe është vënë në këtë detyrë pas dorëheqjes nga ky post të Gazmir Bizhgës, i cili aktualisht është sekretar rajonal i PS të qarkut Durrës. E thirrëm këtë konference për shtyp, pas Konferencës Kombëtare të Partisë Socialiste, konferencë në të cilën Partia Socialiste dhe kryetari Edi Rama i bënë me dije të gjithë shqiptarëve programin, i cili do të vihet në zbatim pas datës 28 qershor, kur Partia Socialiste do të vijë në Pushtet dhe Kryeministri i ardhshëm i shqiptarëve do të jetë Edi Rama, u shpreh në fjalën e tij, Konomi, duke shtuar se Edi Rama dhe Partia Socialiste besojnë se ka ardhur koha për të hapur një faqe të re në historinë e Shqipërisë, për tu ofruar shqiptarëve një vizion të ri, ide dhe zgjidhje të reja. Një politikë e re për ndryshim, që vendos interesat e qytetarëve përpara interesave të politikës, që ofron një qeveri po aq të mirë sa edhe njerëzit të cilëve u shërben. Një politikë e re që bashkon, sjell shpresë dhe realizon ëndrrën e shqiptarëve për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Qeveria e re e pas 28 qershorit do të krijojë mundësi të reja për tu punësuar me pagat më të mira, në mënyrë që standardi i jetesës të përmirësohet dhe për Shqipërinë e shqiptarët të çelet një shpresë e re dhe mundësish. Ne do ti ofrojmë brezit të ri një edukim cilësor, që i aftëson të rinjtë e të rejat për tu përballur me sfidat europiane të së nesërmes. Në vitin 2009, në mes të Europës, është e pafalshme të kemi një sistem shëndetësor që çalon, bëri të ditur më tej Konomi. Sipas tij, falë Politikës së Re për Ndryshim, çdo qytetar shqiptar do të ketë mundësi të kurohet në vendin e tij me të njëjtën cilësi dhe përkushtim si në vendet e Bashkimit Europian. Konomi u ndal më tej edhe tek bujqësia. Bujqësia është themeli mbi të cilin është ndërtuar vendi ynë dhe pikërisht prandaj, plani ynë i ri inkurajon dhe ushqen zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori kaq jetik për gjeneratën e re. Ne do u ofrojmë shqiptarëve një model të ri qeverisje, e cila është e hapur dhe transparente me shqiptarët. Një qeveri të mirë, po aq sa edhe qytetarët të cilëve u shërben, ka vijuar Konomi, duke veçuar dhe një politikë të re për një mjedis të pastër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›