E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe akuzon Pollon për anulimin e hapjes së universitetit në Berat

Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Beratit, Erjon Braçe e ka vlerësuar rikandidimin as si ambicie personale apo karrierë dhe as si betejë apo luftë. Sipas tij, qarku i Beratit vuan shumë nga infrastruktura rrugore, duke veçuar këtu mungesën e rrugës së lidh këtë qytet me Lushnjën, Kuçovën, Elbasanin e Skraparin. Në këtë drejtim ai ka premtuar afrimin e një force politike të transformuar që ka korrektuar veten dhe marrëdhënien e saj me njerëzit. Ndër të tjera, Braçe ka hedhur akuza në drejtim të PD-së. Berati ka marrë një provë të fortë të marrëdhënies së tij me PD-në në vitin 96 dhe një provë më të rëndë akoma në 97-ën, ashtu siç ka marrë një provë të rëndë të trafikimit së qenieve njerëzore, nënvizoi ai. Duke vazhduar akuzat e tij në lidhje me qeverinë aktuale, ai ka theksuar se kjo qeveri gjatë këtyre katër viteve nuk ka investuar në Berat. Berati si 1/12-a pjesë e Shqipërisë, i takonin 219 milionë dollarë. Në rast se do kishte qenë tjetër historia, Berati sot nuk do kishte qenë pa rrugë. Gjysmë milioni euro ikën dëm pasi rruga që e lidh Beratin me Urën Vajgurore i ngjan një rruge me arna. Kanë munguar paratë, që duhet të kishin ndikuar në përmirësimin e asaj infrastrukture, shtoi deputeti socialist. Braçe foli gjithashtu edhe për Boshtin e Jugut, duke thënë se në këto 4 vjet nuk është shtruar asnjë metër dhe për më tepër nuk ka një projekt të saktë për këtë rrugë. Ndër të tjera Braçe ka akuzuar ish-ministrin a Arsimit, Genc Pollo se ka anuluar hapjen e Universitetit të Beratit për interesa personale. Madje, Braçe ironizoi politikën e arsimit të kësaj qeverisje duke e konkretizuar me një ofertë të një universiteti privat. Kush regjistrohet brenda dy javëve, përfiton një celular dhe dy karta sim. Ka pasur interes në hapjen e një universiteti privat, është shprehur Braçe. Por, kjo akuzë është mohuar nga vetë Pollo, i cili e ka konsideruar si shpifje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›