PS: Punimet e Hidrocentralit të Banjës, bllof i Berishës
Partia Socialiste ka cilësuar mashtrim fillimin e punimeve të hidrocentralit të Banjës nga kryeministri Berisha pasi sipas tyre vetëm projektit do ti duhen tre vjet ndërsa realizimit shumë vite. Kandidati për deputet i vendosur në zonën e Gramshit, Damian Gjiknuri ka dalë në një deklaratë nga vendi ku do të duhet të fillonin punimet dhe ku është prerë shiriti.
Ai e ka quajtur deklaratën e Berishës thjesht një mashtrim i madh i qeverisë për qëllime elektorale për të fituar disa vota dhe i ka bërë thirrje shqiptarëve të mos besojnë më gënjeshtra të tilla dhe prerje shiritash që nuk sjellin asgjë më shumë sesa mashtrimet e përhershme të bëra gjatë 4 viteve. "Në fakt realiteti është siç e shikoni vetë dhe të gjithë shqiptarët duhet ta dinë se këtu nuk zhvillohet asnjë punim. Ajo çfarë deklaroi kryeministri ditën e hënë për fillimin e punimeve për konçesionin është një mashtrim i madh, sepse në kontratën konçesionare të ratifikuar nga parlamenti shqiptar, bëhet fjalë se në tre vitet e para do të bëhet një studim gjeologjik, pasi nuk është marrë akoma leja nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit në Republikën e Shqipërisë për të konsideruar këtë punë të filluar, nënvizoi ai. Ndër të tjera ai ka theksuar se në vend nuk ka asnjë makineri dhe asnjë person përtej deklarimit se do të fillojnë të punësohen 7 mijë persona. Ditën e hënë, kryeministri Berisha e cilësoi këtë investim ndër më madhorët, që do të punësojë direk 5 mijë njerëz dhe dy mijë ndihmës.