DAP-i rikthen në Ministrinë e Punës Andrea Marton
Pa kaluar as një muaj, Departamenti i Administratës Publike, pasi ka miratuar shkarkimin nga detyra të sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, e ka kthyer sërish në detyrë. Marto, i larguar nga kjo detyrë nga ish-ministri Barka, tashmë ka arritur të rimarrë postin, ndonëse në këtë detyrë ishte emëruar pak javë më parë nga vetë Departamenti i Administratës Publike, Ligoraq Karamelo. Burimet zyrtare pranë Ministrisë së Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta pohojnë se Marto ka rifilluar punë disa ditë më parë në këtë institucion. Ai ishte shkarkuar nga ministri Barka për paaftësi në kryerjen e detyrës. Madje ai e ka akuzuar vartësin në media për bllokim të procesit të punës në këtë institucion. Burime konfidenciale në Ministri pohojnë se gjatë ditës së djeshme është përballur me largimin nga detyra edhe shefi i kabinetit të ministrit të ri, Anastas Duro, Kosta Bajrabaj, i cili e mbante këtë post që prej vitit 2005. Ardhja e kreut të ri në Ministrinë e Punës duket se ka rikthyer zyrtarët e larguar nga zoti Barka. Sipas të dhënave, Departamenti i Administratës Publike riktheu në detyrë edhe Gjergji Lekën, të shkarkuar nga posti i drejtorit të Inspektoratit të Punës. Shkarkimi i zotit Barka nga posti i ministrit solli përçarje në radhët e Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, e cila ka portofolin e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale në qeverinë “Berisha”. Më në fund, kreu i kësaj partie, Vangjel Dule, arriti ta detyrojë Berishën për të bërë zëvendësimin e ministrit. Kësaj radhe duket se të gjithë zyrtarët e shkarkuar nga paraardhësi do të rikthehen në punë nga ministri Duro.
28 Tetor 2008