Xhafaj: Transferimi i prokurorëve, lëvizje politike
Përpos lëvizjeve, PS e vendosur të vazhdojë bashkëpunimin për paktin kombëtar
TIRANË- Partia Socialiste ka denoncuar dje për të dytën ditë radhazi, atë që ajo e ka cilësuar si "fortunë" në Prokurori. Sekretari socialist për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, në emër të PS-së ka shprehur shqetësimin për situatën e rëndë të krijuar në institucionin e Prokurorisë mbas valës së shkarkimeve të papritura të ndërmarra nga Prokurorja e re e Përgjithshme, Ina Rama. Sipas tij, ky është një rast i paprecedent në sistemin e drejtësisë shqiptare, pasi në kundërshtim me ligjin dhe të drejtën e karrierës bën ulje në detyrë pa pasur një procedim disiplinor. "Brenda një dite, në kushtet e dhunimit të ligjit, pavarësisë së institucionit, transparencës dhe eficiencës së tij, gjysma e prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme u lëvizën nga detyra dhe u transferuan edhe duke u ulur në detyrë. Në emër të reformimit të institucionit, këto lëvizje sollën deformimin e tij, në një përpjekje të hapur për të krijuar një feud të ri dhe për ta personalizuar atë", - u shpreh Xhafa. Për socialistët, ky veprim bëhet më i rëndë pasi vjen në një moment kur është propozuar pakti për reformën në sistemin e drejtësisë. "Vendimmarrja në Prokurorinë e Përgjithshme është joligjore dhe joprocedurale, me një prapavijë të qartë politike dhe interesash klanore e klienteliste, është një përpjekje për të vendosur autoritet të dyshimtë nëpërmjet mekanizmit të shkarkim emërimeve", - u shpreh Xhafaj. Ai ka theksuar gjithashtu se në këtë proces ka munguar një analizë e qartë pune për katërmbëdhjetë prokurorët e lëvizur, duke u vënë përpara faktit të kryer. Sipas tij, 14 prokurorët nuk janë transferuar, sikundër është tentuar të serviret ky dekretim, por ndaj tyre është marrë realisht masë disiplinore, duke i ulur në detyrë. "Si shpjegohet fakti, që një pjesë të këtyre prokurorëve vetë znj.Rama një muaj më parë i ka shpërblyer për punë të mirë dhe sot vendos t'i ulë në detyrë ? Mungesa e transparencës në gjithë këtë proces, hedh mbi të hije të forta dyshimi e vlerësimi se është një proces i paragjykuar politikisht dhe në shkelje të hapur të ligjit përkatës",- theksoi sekretari socialist. Nga ana tjetër, për socialistët ky veprim bëhet më i rëndë me largimin e prokurorit që hetonte skandalin e rrugës Durrës-Kukës, në të njëjtën kohë kur dhe një agjenci e pavarur kushtetuese si Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka pretenduar për shkelje ligjore në procedura e dëm ekonomik për dhjetëra-milionë euro. Kjo, sipas selisë rozë, është një dëshmi e qartë e frymëzimit politik të spastrimeve në Prokurorinë e Përgjithshme dhe vënien e saj në shërbim të interesit politik, për mos zbardhjen e së vërtetës. Pavarësisht këtij fakti socialistët janë të vendosur që të vazhdojnë të bashkëpunojnë për të vënë në jetë paktin kombëtar për drejtësinë, si një domosdoshmëri që veprime të tilla të mos ndodhin më.