E Diel, 1 Nëntor 2026

Bradasheshi, aty ku ndotja kompensohet me investime

Elbasan Komuna me 17 fshatra po rindërton të gjitha rrugët me paratë e vjela nga industria e rëndë

Me një popullsi prej rreth 13 mijë banorësh, si dhe me 17 fshatra, Komuna e Bradasheshit është një ndër më të mëdhatë në mbarë vendin, si nga popullsia ashtu edhe nga investimet që janë kryer gjatë viteve të fundit. Kjo, ndoshta edhe për faktin se komuna rrethohet nga tre operatorë të mëdhenj industrialë, “ACR”, “ECF” dhe “Kurum”, të cilët, veç anës negative të ndotjes, sigurojnë shumë të ardhura vjetore nga qiraja që paguajnë për ndërtesat dhe nga zëra të tjerë fiskalë. Sipas kreut të komunës, Sabri Sollaku, të gjitha rrugët që lidhin qendrën e komunës me fshatrat e saj janë thuajse të ristrukturuara me parametra modernë dhe kjo falë investimeve si nga komuna, por edhe nga fondet e qeverisë. Këtë vit, Komuna e Bradasheshit ka nisur investime të rëndësishme me fondet e saj dhe të buxhetit të shtetit. Me një fond prej 4 miliardë lekësh, ku 3 miliardë janë dhënë nga qeveria shqiptare dhe pjesa tjetër me fondet e komunës. Kryetari i komunës, Sabri Sollaku, pohon se “rreth tre muaj më parë kanë nisur punimet për ndërtimin e një ujësjellësi për tetë fshatra të komunës, siç janë Bradasheshi, Katundi i Ri, Reçani, Karakullaki, Kusarthi, Fikasi dhe Shijoni, me vlerë prej 170 milionë lekësh të reja”. Mësohet gjithashtu se janë në ndërtim kanalizimet e ujërave të zeza me një fond prej 100 milionë lekësh në Katundin e Ri, si dhe një rrugë e re me një fond prej 75 milionë lekësh po në këtë fshat. Të gjitha rrugët e brendshme të fshatit Bradashesh po ristrukturohen me një fond prej 55 milionë lekësh dhe janë të shtruara me asfalt. Sollaku shton se të gjitha këto investime po mundësohen nga qeveria shqiptare dhe gati gjysma e tyre nga të ardhurat vendore, ndërsa janë në vazhdim investime në segmentin Kusarth–Karakullak, me vlerë prej 50 milionë lekësh. Komuna ka në projekt edhe shumë investime të tjera, ku këtë vit të ndërtohen 8 kilometra rrugë në 6 fshatra, me fondet e vetë komunës. “Kemi planifikuar që në komunë të ndërtojmë edhe një gjimnaz, si nevojë e domosdoshme për të gjithë banorët dhe projekti tashmë ka përfunduar dhe i është dërguar Ministrisë së Arsimit për miratim”, thotë kreu i komunës, Sollaku.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›