Pas Fushës së Aviacionit, PS akuzon edhe për ish-repartin në Kodër Kamzë
Lista e privatizimeve të aseteve të ushtrisë po ushqen një betejë të përditshme politike me opozitën socialiste. Pas deklarimeve dhe akuzave të nënkryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, për vendimin e privatizimit të Fushës së Aviacionit, angazhimi i saj në këtë drejtim ka gjetur dje një pikë tjetër; ish-repartin ushtarak 3030 në Kodër Kamzë. “Sot kemi ardhur në Kodër Kamzë, pikërisht në ish-repartin ushtarak 3030, të cilin prej kohësh Bashkia Tiranës e ka kërkuar për të ndërtuar një shkollë. E ndërsa i gjithë ky komunitet kërkon të shohë një shkollë në këtë vend, dora e Imamit, me urdhër të Priftit, për llogari të Sali Berishës, kërkon ta shesë duke e nxjerrë në listën e objekteve për privatizim, siç e shikoni në këtë njoftim”, deklaroi nga “vendi i ngjarjes” Shalsi. Ai ka akuzuar qeverinë për manovra korruptive me pronat publike, për mbrojtjen e të cilave, deputeti socialist ka bërë të ditur se do të ketë rezistencë edhe nga komunitetet. “Hiqni dorë ose përndryshe do të përballeni me rezistencën tonë të vendosur dhe me rezistencën e këtyre komuniteteve. Ne do zhbëjmë çdo privatizim abuziv e korruptim”, deklaroi ai. Ndërkohë, kryetari i PS, Edi Rama, bëri të ditur se procedura e privatizimeve të këtyre mjediseve të rishikohet.
#