E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brahimi: Kundërvënie e hapur ndaj futbollit gjirokastrit

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Në stadiumin Gjirokastra, ku Luftëtari zhvilloi stërvitjen e radhës, me pjesëmarrjen e Devollit dhe Norës, që mund të luajnë ndaj Himarës, ishte i pranishëm edhe drejtori sportiv  Besim Brahimi. Ai u njoftua nga Tirana për dënimin e kapitenit Stoja dhe të stadiumit dhe menjëherë bëri këtë deklaratë: Jam shumë i indinjuar nga vendimet e komisionit të disiplinës për dënimin e kapitenit Nertil Stoja me 2 vjet dhe me dënimim material të stadiumit me 150.000 lekë.

Personalisht, si drejtor sportive i klubit, jam i befasuar me këto masa ekstreme. Nuk pajtohemi me qëndrimin e futbollistit Stoja, që me të drejtë meritoi karton të kuq, por e konsiderojmë një dënim me pushkatim për aq sa bëri. Ne kemi kasetën e ndeshjes, që do ta vëmë në dispozicion të organeve kompetente. Në fushë nuk është hedhur asnjë send i fortë, me përjashtim të rastit pas golit, kur disa tifozë hodhën shishe plastike uji, që nuk e kapërcyen pistën e stadiumit.

Nuk mund të bëhet shmbull Luftëtari, pasi ka veprime, që nuk po i përmend me emër, por janë parë në mediat elektronike nga gjithë publiku shqiptar, që janë më të rënda dhe janë dhënë masa më të lehta. Mendoj se ky është rasti më flagrant, që segmente të caktuara nuk duan ta shohin futbollin gjirokastrit në elitën e futbollit kombëtar.

Nisur nga investimet e bëra dhe objektivi ynë, deklaroj se kjo është një kundërvënie e hapur  për ta penguar Luftëtarin në ecurinë e tij drejt superligës. Ne kërkojmë një ballafaqim me vëshguesin e ndeshjes, të deleguarin dhe gjyqtarët e takimit, duke vënë në dispozicion kasetën me pamjet filmike. Në rast se konstatohen ato për të cilat akuzohemi, le të merren masa më të rënda për ekipin tonë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›