E Diel, 1 Nëntor 2026

Partizani vijon seleksionimet, reduktohet grupi i aspirantëve

Nga ILIR CARA

Nga 70 ka zbritur në 37 numri i futbollistëve, që i janë nënshtruar përzgjedhjeve tek demat e kuq

Të kuqtë e kryeqytetit vijojnë fazën seleksionuese, kur dihet se numri i futbollistëve që kërkonin një vend te Partizani shkoi deri në 70 vetë. Por nga dje ky grup është reduktuar, pasi stafi teknik e ka bërë përzgjedhjen e parë dhe tani kanë mbetur 37 lojtarë për të vijuar seleksionimin. Në fundjavë pritet të bëhet seleksionimi përfundimtar, ku me shumë gjasa as gjysma e atyre që janë nën vëzhgim nuk do të mbeten. Dje Partizani që pritet të konfirmohet ka zhvilluar një ndeshje kontrolli me paratërinjtë e skuadrës.

Takimi është fituar nga skuadra e parë dhe i ka shërbyer stafit teknik për të përmbledhur më shumë të dhëna nga futbollistët që stërvisin prej ditësh. Nën drejtimin e trajnerëve Bajko-Musta-Pelinxhi, skuadra sot do të kryejë dy seanca stërvitore, ku paradite të kuqtë do të përgatiten nga Kodrat e Liqenit, ndërsa pasdite do të zhvendosen në ambientet e ish-Shkollës së Bashkuar.

Është thënë që baza e Partizanit të ri është grupi që nuk arriti ta mbyllë sezonin e shkuar, pasi në javën e fundit për shumë arsye skuadra nuk udhëtoi drejt Gjirokastrës. Përpos seleksionimit të elementëve të rinj dhe atyre që kanë mbetur nga edicioni i fundit, drejtuesit po punojnë edhe në merkato, në mënyrë që të gjejnë ndonjë element që mund ti bëjë punë ekipit në fazën e parë.

Duke ditur se konfigurimi i Partizanit ka nisur me vonesë, pasi ishte mbyllur merkatoja e kategorisë superiore dhe të parë, synohet që në përfundim të fazës së parë skuadra të mbetet në tri vendet e kreut. Pa dyshim, do të jetë merkatoja e dimrit ajo që do të vërtetojë synimet reale të Partizanit që administrohet nga Ministria e Mbrojtjes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›