Elbasani, trajneri File i beson të njëjtit formacion
Trajneri i verdhebluve mendon se ekipi funksionoi si duhet në Skrapar, ndaj nuk do të bëjë ndryshime për derbin e nesërm
Elbasani nuk i falet të lërë pikë në Ruzhdi Bizhuta gjatë këtij kampionati, nëse vërtet synon kthimin në superior. Për më tepër, verdheblutë kanë lënë dy pikë në Skrapar, kështu që janë të detyruar ta fitojnë bindshëm derbin. Ata po përgatiten me qetësi për ndeshjen e radhës, që në letër mund të duket e lehtë, nisur nga fakti se Gramshi është një ekip që lufton për të qëndruar në kategorinë e parë.
Grupi i futbollistëve ka qenë i plotë, me përjashtim të Mateos Toçit, i cili është i grumbulluar me ekipin kombëtar U-19, si dhe mbrojtësit Ardi Sekseri. Burime pranë stafit verdheblu bëjnë me dije se mbrojtësi Sekseri është larguar vetëm për ditën e djeshme, pasi ka marrë lejë nga stafi drejtues. Ai pritet të rikthehet sot pranë ekipit për tu vënë nën urdhrat e dyshes File-Dosti dhe për të qenë i gatshëm për ndeshjen e së shtunës.
Kacollja Një lajm i mirë për stafin teknik të verdhebluve është se dje me grupin është stërvitur edhe qendërmbrojtësi tjetër, Mardian Kacollja, i cili u dëmtua gjatë ndeshjes së kontrollit në kavilje. Edhe Kacollja pritet që të jetë i gatshëm për trajnerin File, edhe pse në seancën e djeshme ka pasur dhimbje.
Stafi teknik u ka dhënë një ngarkesë disi të lartë edhe dje futbollistëve, ndërsa në fund është zhvilluar një minindeshje për tu dhënë dorën e fundit përgatitjeve dhe për të vendosur se cilët do të jenë titullarët. Nuk priten ndryshime në krahasim me formacionin që luajti në Skrapar. Trajneri File nuk ka dashur të bëjë ndryshime, pasi, sipas tij, ekipi ka funksionuar mirë në ndeshjen e javës së parë, kështu që do tu besojë po atyre titullarëve.
