Pjetrani: Luftëtari e ka vendin në superligë
Mesfushori sulmues i shtohet kolonisë shkodrane në Gjirokastër dhe shpreson për një aventurë të suksesshme
Historia e futbollit gjirokastrit flet se ai është i lidhur me futbollin shkodran siç janë të lidhur deti me oqeanin nga pikëpamja e furnizimit me ujë dhe peshk, pavarësisht nga të vetat që disponon i pari. Kështu, Luftëtari është furnizuar nga Vllaznia për shumë e shumë sezone dhe, te ky që sapo filloi, nuk ka repart të ekipit pa shkodranë.
Kështu, portieri Erind Selimaj, mbrojtësit Alis Baci, mesfushori Behar Ramadani dhe sulmuesi Jasmin Raboshta, pas javës së parë të kampionatit, kanë edhe mesfushorin sulmues Florjan Pjetrani, të datëlindjes 07.02.1985. Ky lojtar, për shkak dëmtimi, që e ka çuar në operim, me ekipe të riturish nuk ka luajtur shumë.
Ai është aktivizuar një fazë me Adën dhe dy sezone te Burreli, prej nga erdhi te Luftëtari. Sezonin e kaluar ka realizuar 7 gola, aq sa ka shënuar dhe Florjan Braho me fanellën e Luftëtarit, që edhe këtë sezon do të luajë përsëri për këto ngjyra. Pra, janë dy mesfushorë-sulmues me emrin Florjan, që ndoshta do ti shërbejnë Luftëtarit si flori.
Pejtrani Për aventurën e tij të re shkodrani thotë: Erdha te Luftëtari, pasi është ndër ekipet e mëdha të futbollit tonë dhe ka pasur lojtarë me emër mbresëlënës. Erdha te Luftëtari se këtë sezon këtu ka edhe një koloni shkodranësh me Selimajn, Bacin, Ramadanin e Raboshtën, të cilët më kanë folur edhe për klimën e mirë që ekziston te Luftëtari.
Kështu, bashkë me ta dhe në radhë të parë me vetë gjirokastritët, duke nisuar me Devollin, Norën, Brahon e shumë të tjerë, shpresoj se do të jemi një ekip, që do ta realizojë objektivin e sezonit, ngjitjen në superiore. Pashë takimin me Vlorën, që në fakt nuk mori ato ngjyra që përfytyroja, por ka rëndësi që u arrit fitorja, sepse zakonisht ndeshjet e para kanë vështirësi shtesë, që lindin nga disa faktorë, veçanërisht të karakterit psikologjik.
Në ndeshjen në fjalë pesha binte te Luftëtari dhe jo te Vlora. Duhet të shohim përpara, duke eliminuar të metat e konstatuara dhe të përqendrohemi në përballjen me Himarën, ku edhe pse nuk do të na presin me lule, duhet të arrijmë fitoren, që diktohet nga diferenca e potencialeve në favor të Luftëtarit.
