Braho: Nuk e votojmë draftin pa u rishikuar
• Deputeti i LSI-së, Spartak Braho tha dje se “drafti i paraqitur nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste nuk garanton aspak pavarësinë institucionale të gjyqësorit nga politika”.Duke i quajtur si antikushtetuese propozimet e bëra, Braho u shpreh se LSI-ja nuk voton për projekt-draftin pa u rishikuar. Në këtë kontekst ai shprehu vullnetin e LSI-së për të mbështetur vërejtjet e Uralius si dhe propozimet e bëra nga “Shoqata e Gjyqtarëve”. Sipas tij, LSI-ja e koncepton zhvillimin e kësaj reforme në bazë të një platforme, ku synimet dhe qëllimet strategjike të saj duhet të jenë produkt vetëm i një komisioni të posaçëm kombëtar ( ad hoc ) nukli kryesor i të cilit duhen të jenë jo vetëm deputetët, por specialistët e mirfilltë të organeve të drejtësisë, të tjerë jashtë tyre, vendas dhe të huaj, të cilët do të piketojnë database-t e drejtimeve kryesore, ku do të ecë reforma, për t’ua dhënë atë të gatshme politikës dhe strukturave parlamentare. “Reforma duhet të sigurojë përmirësim të ndjeshëm të statusit të punonjësit se organeve të drejtësisë, gjyqtarëve, prokurorëve etj, dhe të përmirësojë normat ligjore që lidhen me karrierën, emërimet, ngritjen në detyrë masat ndëshkuese, me trajtimin, pagat, shpërblimet dhe përfitimet financiare. Të gjitha këto, padyshim përveçse një rikonceptimi, kërkojnë dhe rinovimin e kuadrit ligjor përkatës”, tha Braho.