PD hap dyert për 140 anëtarë të rinj
• Edhe pse një vit larg zgjedhjeve të reja parlamentare, PD-ja i rikthehet strukturave organizative, të cilat përkojnë edhe me fazën organizative të partisë më të madhe në pushtet.BLEDAR HOTI Brenda PD-së po nis një fushatë anëtarësimesh, ku vetë Berisha ka dashur të asistojë në dhënien e teserave blu të 140 anëtarëve të rinj. Në këtë ceremoni ka marrë pjesë dhe nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, deputetë e anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë demokratë. Demokratët përpara zgjedhjeve të përgjithshme, pritet njëkohësisht që të realizojnë edhe zgjedhjet brenda strukturave të PD-së, ku në prill të 2009 do të jetë edhe kongresi i tyre. Duke vlerësuar këtë vendim të të rinjve, Berisha ka bërë edhe një ekspoze të PD-së gjatë këtyre 17 viteve, duke vlerësuar veçanërisht rolin e saj në opozitë, pas vitit 1997. “Kriza e rëndë financiare (e piramidave) u shfrytëzua nga falangat enveriste për të marrë pushtetin me dhunë, por PD qëndroi në opozitë për t’i dhënë këtij vendi pikërisht atë vlerë të madhe që i kishte munguar në të gjitha kohërat dhe që ishte opozita, pa të cilën nuk kishte demokraci”, deklaroi kryetari i PD-së. Për Berishën, ata që themeluan në dhjetor të vitit ’90 PD-në ishin një grup pedagogësh dhe intelektualësh që vendosën të krijojnë partinë e parë opozitare në vendin më totalitar të Evropës, në vendin e lirive dhe të drejtave njerëzore të ndaluara me Kushtetutë. “Ata, si mision të saj kryesor përcaktuan vendosjen e shoqërisë së lirë në Shqipëri, ku të respektoheshin të drejtat dhe liritë njerëzore, iniciativa e lirë, besimi fetar”, theksoi Berisha. Vullneti i madh i tyre, bëri që në një kohë të shkurtër me votën e lirë të përmbysnim diktaturën dhe Shqipërinë e hiperkolektivizmit total ta shndërrojmë në vendin e iniciativës së lirë, nga vendin e izolimit më të thellë ta anëtarësojmë në Këshillin e Evropës, nga vendin e ateizmit të imponuar ta shndërrojmë në Shqipërinë e besimit dhe tolerancës së shkëlqyer fetare”, tha Kryeministri. Berisha theksoi se “pas rikthimit në pushtet të PD-së në vitin 2005, ne ia kemi dalë të dëshmojmë në mbarë botën qëndrimin ndaj lirisë”. “Raporti i fundit i KE-së është raporti i parë që thotë se qeveria në tërësi ka respektuar të drejtat dhe liritë e individit. Viti i kaluar nuk ka shënuar as aktin më të vogël dhe as incidentin më të vogël ndaj gazetarëve. Standardi që ne vendosëm për të ndaluar çdo proces gjyqësor ndaj tyre, çdo padi civile apo penale nga administrata ndaj tyre, në pamje të parë të duket një akt administrativ mekanik, por ky është një akt me pasoja të mëdha dhe direkte mbi lirinë e qytetarëve shqiptarë”, theksoi lideri i PD-së.