Kolla kronike, “sinjal” për kancerin në mushkëri
• Numri i rasteve me kancer të mushkërive sa vjen e rritet në të gjithë botën.AIDA MALAJ Ndër shkaqet kryesore të përhapjes së kësaj patologjie tumorale janë konsumimi i duhanit, trashëgimia dhe rritja e nivelit të ndotjes së ajrit. Në një intervistë për “Panorama”, mjeku pneumolog, Ilir Peposhi, shpjegon se cilat janë “sinjalet” që duhet të na alarmojnë dhe çfarë mund të bëhet për t’u mbrojtur nga kjo patologji tumorale:Doktor sa është i përhapur kanceri në mushkri?Tumori i mushkërive përfaqëson shkakun e parë të vdekjeve nga kanceri, në vendet e zhvilluara. Kjo sëmundje përfaqëson 25 për qind të gjithë tumoreve malinjë që mund të shfaqen te personat e seksit mashkull. Vitet e fundit, po vihet re dhe një rritje e numrit të rasteve dhe te gratë. Kjo lidhet me shtimin e numrit të grave që pinë duhan, që është shkaku kryesor i shfaqjes së kancerit në mushkëri. Si shfaqet kjo formë tumorale?Në momentin e vendosjes së diagnozës rreth 80-90 % janë pacientë në stadet e avancuara që nuk bëhet ndërhyrje kirurgjikale. Në gati 10-15 % sëmundja është asimptomatike dhe shpesh diagnoza vendoset gjatë një vizite rutinë. Simptomat shfaqen më vonë dhe vetëm kur është shfaqur neoplazia, dhe tumori ka arritur përmasa të konsiderueshme. Përveç kësaj simptomat janë jo specifike, që do të thotë se shpesh mund të jenë të pranishme dhe në sëmundje të tjera të aparatit të frymëmarrjes, qoftë edhe beninje. Gjithsesi shenjat që mund të shfaqen më shpesh janë: Kolla që mund të jetë edhe, e thatë, me ose pa katarë (gëlbazë). Pacienti mund të shfaqë hemoptoe, (nxjerrje të gëlbazës me gjak) dhe kjo ndodh gati në 7-10 % të rasteve. Në format më të avancuara mund të vihen re se gjatë kollitjes nxirret sasi gjaku i pastër. Një shenjë tjetër është dhimbja në kraharor, që mund të vështirësohet, kur mbushesh fort me frymë, si dhe vështirësi në frymëmarrje. Ka raste kur kjo patologji diagnostikohet edhe nga sindroma që nuk ka lidhje me aparatin e frymëmarrjes, që quhen paranoplazik. Të tilla mund të jenë: Temperaturë pa ndonjë shkak të dukshëm, por dhe humbje në peshë, lodhje, të përziera dhe të vjella. Mund të ndodhë të jenë të pranishme dhe infeksionet respiratore (bronshite, polmonite). Prania e metastazave mund të modifikojnë kuadrin klinik, edhe pse është e qartë se simptomat në këtë rast varen dhe nga inde apo organe që mund të jenë prekur nga këto metastaza siç mund të jenë mëlçia, endokrinet, kockat, etj.Nga se shkaktohet?Kanceri në mushkri është i lidhur ngushtë me konsumin e duhanit. Sot pirja e duhanit konsiderohet si “armiku” kryesor i mushkërive, si në formën aktive ashtu dhe në atë pasive. Studime të ndryshme kanë treguar se mbi 90 % e kancerit pulmonar në botë janë pacientë duhanpirës. Përveç kësaj një shkak tjetër është prania e radonit (një lloj gazi) në ambientin e punës apo në të cilin jetohet. Nga këto studime ka rezultuar se prania e këtij gazi përfaqëson një nga shkaqet kryesore të shfaqjes së kancerit në mushkri, pas duhanit. Përveç kësaj është parë se radoni është 25 herë më tepër kancerogjen, te personat që pinë duhan. Shkaqe të tjera që ndikojnë janë smogu dhe ndotja atmosferike të krijuara nga derivatet e benzinës apo naftës, ai që krijohet nga katrani, vajrat mineralë, por dhe përpunimi i metaleve të rënda (nikel, kromit, etj.) dhe substancave radioaktive. Përveç këtyre ekzistojnë dhe disa faktorë risku, ose më saktë disa sëmundje që “lehtësojnë” shfaqjen e kancerit siç janë: Sëmundjet kronike të mushkërive. Së fundi duhet përmendur dhe një ndikim gjenetik që predispozon shfaqjen e kësaj patologjie.Si vendoset diagnoza?Diagnoza e hershme përfaqëson një mundësi mjaft të mirë për trajtimin e të gjithë formave kancerogjene, por fatkeqësisht për tumorin në mushkri shpesh diagnostikohet kur sëmundja ka avancuar. Një radiografi e toraksit, që mund të bëhen gjatë vizitave rutinë, mund të hedhë dyshimet e para, që më pas mund të konfirmohen me metoda të tjera si tomografia assiale e kompjuterizuar (TAC) apo rezonanca magnetike nukleare (RMN); bronkoskopia; biopsia,.Si mund të parandalohet kjo formë tumorale?Profilaksia më e mirë për të parandaluar kancerin e mushkërive është mospirja e duhanit si në formën aktive ashtu dhe në atë pasive. Rekomandohet të bëhen kontrolle të vazhdueshme të sasisë së radonit në ambientin ku jetoni apo punoni. Duhet të shmangni sa të mundni smogun dhe ndotjen atmosferike, si dhe duhet të bëhen kontrolle rutine të herëpashershme( mjafton një radiografi e toraksit), sidomos për personat me risk, para ata që pinë duhan dhe ata që kanë faktorin gjenetik.