Braho konteston mospërfshirjen e emigrantëve në votim
Emigrantët shqiptarë nuk do të mund të votojnë dot në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Kodi i ri Zgjedhor, i hartuar në bashkëpunim mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, nuk ka marrë parasysh propozimet që emigrantët shqiptarë të mund të shprehin vullnetin e tyre nëpërmjet votës në vendet ku jetojnë dhe banojnë. Ndonëse një propozim i tillë ishte bërë prej kohësh nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila kishte propozuar edhe një paketë mbi mënyrën se si do të realizohej ky proces, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste nuk e kanë marrë parasysh atë, duke përjashtuar kështu emigrantët nga procesi i votimeve. Një gjë e tillë ka ndodhur konkretisht në mbledhjen e djeshme të Komisionit parlamentar të reformës zgjedhore, ku pavarësisht insistimit të anëtarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho, socialistët dhe demokratët nuk e kanë përfshirë në projekt Kodin e ri Zgjedhor mundësimin e të drejtës së votës së emigrantëve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Pas mbledhjes së djeshme të komisionit të reformës zgjedhore, anëtari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho, denoncoi atë që ai e quajti një festival folklorik Rama-Berisha, pasi komisioni vendosi përfundimisht përjashtimin e emigrantëve në procesin e votimit.
“Sot mbaroi dita e fundit e festivalit folklorik Rama-berisha. Ka dhe një seancë tjetër. Ajo që do të vendosë ky komision për emigrantët përfundimisht është përjashtimi i tyre nga votimet në vendet ku ata banojnë. Pa dyshim është një padrejtësi e madhe që i bëhet kësaj shtrese të rëndësishme të popullit shqiptar, shtresë aktive, e cila nuk na duhet vetëm për të sjellë depozitat, por edhe për të marrë pjesë në zhvillimet politike të vendit. Natyrisht, dita e fundit dhe ndarja e çmimeve është javën që vjen”, - tha Braho.
11 Nentor 2008