E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti për emergjencat civile, qeveria i vë “gishtin kokës” pas tragjedisë së fundit



Ervin Koçi

Katastrofat natyrore dhe ato civile, që po bëhen më të shpeshta nga viti në vit në vendin tonë e po marrin çdo herë jetë njerëzish dhe po shkaktojnë dëme të parikuperueshme ekonomike e morale, vetëm vitin e ardhshëm do të merren në konsideratë nga qeveria. Vitin e ardhshëm, qeveria do të miratojë një skemë të re me një vlerë të caktuar financiare që do të përcaktohet edhe në buxhetin e shtetit, për përballimin e katastrofave dhe emergjencave natyrore. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, ka deklaruar dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë se në bashkëpunim me Bankën Botërore është siguruar një fond prej 150 milionë dollarësh, i cili mund të tërhiqet menjëherë në formën e kredisë në rast të ndonjë emergjence apo fatkeqësie natyrore. Por nëse fondi nuk tërhiqet, atëherë shteti shqiptar nuk do të paguajë interesa. “Bono e vonuar ose e rezervuar, që në rast se ndodh në Shqipëri një katastrofë e përmasave të mëdha ne kemi të drejtë tërheqjeje të menjëhershme deri në 150 milionë dollarësh”, - tha Shehu. Më tej, ai shtoi: “Në momentin e tërheqjes, kjo shumë shndërrohet në kredi”. Numri dy i Financave, Shehu, ka deklaruar se skema është pjesë e një projekti që Banka Botërore po zbaton në nivel rajonal. Një ndër elementët e projektit është edhe ngritja e një agjencie për emergjencat, anëtare të së cilës do të jenë të gjitha vendet e Ballkanit.

Mungesa e legjislacionit

Emergjencat natyrore dhe civile nuk janë vlerësuar asnjëherë si duhet nga qeveritë shqiptare ndër vite e për pasojë edhe legjislacioni për këto lloj problemesh është i vobektë. Ligji i fundit i dalë për këtë çështje në vitin 2001 dhe i “arnuar” me disa vendime në vitin 2004, pas përmbytjes që përfshiu vendin në atë vit, kishte përcaktuar në fakt qartë se: “Në rast emergjencash, çdo ministri është e përfshirë dhe çdo ministër është përgjegjës për një planëzim sipas llojit të veprimtarisë së tij”. Por më tepër se hartimi i një ligji të ri nevojitet zbatimi i tij në terren. Sa herë ka emergjenca civile në vend, zyrtarët e lartë të shtetit fajësojnë dispozitat ligjore, kur në fakt në rastin konkret rezultoi se 11 ministri nuk i zbatojnë ato. A funksionuan emergjencat civile në rastin e Gërdecit? Në Gërdec u panë gjatë gjithë kohës të ishin të angazhuara vetëm forca ushtarake, policore, shëndetësore dhe Drejtoria e Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, ndërsa ligji kërkon angazhim nga një numër më i madh strukturash. Në ligj përjashtohet vetëm Ministria e Integrimit, që nuk ka përfaqësues në një komision teknik këshillimor për emergjencat, i cili duket se në këtë rast nuk funksionoi. Ndërkohë që ligji përcakton qartë se çdo ministri ka specialistë të emergjencave ose drejtori emergjencash, por siç u pa në ditët e shpërthimit në Gërdec, përveç tri ministrive kryesore, të gjitha ishin jashtë funksionit.

Emergjencat e ndryshme

Emergjencat natyrore dhe humane në vendin tonë kanë qenë tepër të shpeshta dhe mjafton që t’i referohemi vetëm këtij viti për të parë se kemi patur një bilanc tepër të tmerrshëm tragjedish. Duke nisur që nga tragjedia e Liqenit të Farkës, e Gërdecit, e Liqenit të Butrintit, deri tek ajo e djeshmja e pallatit në Gjirokastër, vetëm gjatë këtij viti është bërë një varrezë e tërë me viktima. Por nëse marrim gjithashtu edhe aksidentet në transport dhe veçanërisht ato rrugore, humbjet e jetëve të njerëzve janë tepër të larta, pa llogaritur dëmet ekonomike dhe pasojat. Mesatarisht çdo vit në vendin tonë, vetëm nga aksidentet rrugore, humbin jetën rreth 300 persona, një numër edhe më i madh njerëzish pjesëmarrës në këto aksidente bëhen përkohësisht ose përgjithmonë të paaftë, përfshi këtu dëmet psikologjike, edhe këto mjaft të larta por që mbeten të parikuperueshme për tërë jetën. Situatat e fundit emergjente, të shkaktuara nga përmbytjet, rrëshqitjet dhe veçanërisht situatat e krijuara nga zjarret në pyje, kanë treguar se pa një planifikim, koordinim dhe veprim të integruar të strukturave dhe resurseve përkatëse, situatat mund të përkeqësohen dhe dëmet të jenë edhe më të mëdha.

Bilanc lufte në dy vite prej fatkeqësive natyrore dhe humane

Gjatë dy viteve të fundit, vendi ynë është përballur me disa situata emergjencash, kryesisht në fushën e përmbytjeve, rrëshqitjeve, tërmeteve dhe zjarreve. Për përballimin e kësaj situate, qeveria akordoi fondin prej rreth 4 milionë dollarësh për njësitë e pushtetit vendor në marrjen e masave parandaluese për eliminimin e fatkeqësive natyrore. Vera që sapo kaluam, për shkak të zjarreve masive në pyje, krijoi një situatë të rëndë emergjente të paprecedentë, duke vënë në provë të vështirë shërbimin tonë të emergjencave. Temperaturat e larta, si dhe veprimtaria e pakujdesshme njerëzore, shkaktuan vatra zjarresh në pyje e kullota, të cilat në shumë raste rrezikuan qendra të banuara dhe cenuan në ndonjë rast edhe jetën e banorëve afër këtyre qendrave. Pamundësia e përballimit të situatës me forcat dhe mjetet në dispozicion nxori si nevojë kërkesën për ndihmë ndërkombëtare. Në këto kushte, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave iu drejtua Qendrës Euroatlantike të Koordinimit të Reagimit ndaj Fatkeqësive të NATO-s (EADRÇ dhe të Europës (EU-MIC). Si rezultat u ofrua ndihmë me mjete ajrore për shuarjen e zjarreve nga Departamenti i Mbrojtjes Civile të Italisë, si dhe u morën mjete me qira nga Ukraina e Gjermania (fonde të cilat u përballuan nga buxheti i qeverisë). Sipas të dhënave, vetëm gjatë kësaj vere u konstatuan gjithsej 1321 zjarre, të cilat dëmtuan rreth 4150 ha pyje, shkurre, kullota, ullishte etj.

Pse Shqipërisë i nevojitet një shërbim i ri emergjencash

Në 15 vitet e fundit, Shqipëria ka bërë ndryshime të thella në fushën e mbrojtjes civile. Nga një vend i izolimit, i lirive dhe i të drejtave të mohuara, Shqipëria është shndërruar në vendin e pluralizmit politik, ku respektohen liritë dhe të drejtat e individit, mediat dhe nisma e lirë. Sot është një vend tërësisht i hapur, partner dhe mik i vendeve anëtare të BE-së, NATO-s, vend që ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian dhe që ka dhënë kontributin e saj real për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit. Vendi ynë ka një Sistem Emergjencash Civile përgjithësisht të ri dhe pa kualifikimet dhe eksperiencën e duhur, por vazhdimisht në përmirësim. Në planin global, shqetësimet e ndryshimit të klimës, dhe në aspektin e brendshëm, problemet që vijnë nga migrimi i pakontrolluar, fuqia ndërtuese jo në respekt me standardet ligjore, si dhe risqet nga dukuri të tilla, si tërmetet, zjarret, përmbytjet, rrëshqitjet, bllokimet nga dëbora apo fusha të tjera të emergjencave që shkaktohen nga veprimtaria njerëzore, nxjerrin në pah përgjegjësisë e madhe të strukturave të mbrojtjes civile nga fatkeqësitë.

Si funksionon dhe nga varet Drejtoria e Emergjencave Civile

Ministria e Brendshme në fushën e mbrojtjes civile kryen koordinimin e veprimtarisë së strukturave të ndryshme të të gjitha ministrive, enteve publike e private, biznesit, organizatave vullnetare dhe komunitetit. Ajo është përgjegjëse për përgatitjen dhe zbatimin e planit kombëtar për planifikimin dhe përballimin e emergjencave civile. Ajo bashkërendon veprimet e të gjitha palëve në planifikimin dhe përballimin e emergjencave, për përmbushjen e detyrave që u përkasin atyre dhe koordinon strukturat e të gjitha organeve të qeverisjes vendore. Ministria e Brendshme menaxhon sistemin e mbrojtjes civile, zhvillon strategji e programe, si dhe në bashkëpunim me ministritë, institucionet dhe entet e ndryshme të vendit, bën vlerësimin e rreziqeve dhe e paraqet atë për miratim në Këshillin e Ministrave. Të gjitha detyrat e mësipërme, kjo ministri i kryen nëpërmjet Drejtorisë të Përgjithshme të Emergjencave Civile (DPEC), e cila është struktura përgjegjëse e qeverisë në fushën e menaxhimit të emergjencave dhe fatkeqësive. DPEC është e angazhuar plotësisht për të zbatuar detyrimet që burojnë nga: a) Integrimi europian, veçanërisht implementimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe Plani Kombëtar për Implementimin e MSA-së, për fushën e mbrojtjes civile, b) Monitorimi i zonave zhvillimore dhe i investimeve publike e private, për masa parandaluese dhe rehabilituese në infrastrukturë, mjedis dhe pronë me qëllim zvogëlimin e riskut dhe c) Garantimi i një procesi eficient dhe të integruar të programimit, planifikimit dhe zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Qeverisë, ministrive dhe institucioneve qendrore dhe të njësive të qeverisjes vendore në fushën e mbrojtjes ndaj emergjencave dhe fatkeqësive.

11 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›