Shoqata e Ndërtuesve, apel për një vlerësim real të kompanive të ndërtimit
Shoqata e Ndërtuesve ka ndjekur me shqetësim ngjarjen e rëndë të ndodhur në Gjirokatër me shëmbjen e një pallati nga punimet që po kryheshin pranë tij. “Fatkeqësi të tilla na kthejnë vëmendjen te fakti se jeta e një njeriu është më e rëndësishme sesa çdo ngrehinë. Shoqata nga ana e saj do të vërë në dukje se është e dhimbshme që ne kujtohemi vetëm në raste tragjedish të tilla për të ndarë përgjegjësitë dhe për të rritur standardet e punës. Shoqata ka si objekt të saj kryesor ndërtimin me cilësi dhe me standarde të larta duke respektuar ligjet në fuqi dhe normat e BE-së për ndërtimin. Por ndodh shpesh që kompani të ashtuquajtura fantazmë, që ngrihen dhe vdesin me ndërtimin e një pallati, marrin përsipër të ndërtojnë vepra jashtë kapaciteteve të tyre. Shoqata e Ndërtuesve është e gatshme të marrë përsipër krijimin e një institucioni ndoshta në formën e një Urdhri, ku kompanitë do të marrin vlerësimin real për punën që janë të afta të bëjnë. Sepse sot ndodh që një shoqëri që ka ndërtuar vetëm një magazine, të marrë përsipër të bëjë pallate shumëkatëshe apo vepra të tjera publike ku mundësitë për fatkeqësi janë shumë të mëdha. Në një vepër që ndërtohet janë të pranishëm shumë profesione dhe secili prej tyre kërkon një kualifikim të veçantë, i cili duhet të jetë i matshëm dhe i vlerësuar nga një institucion i specializuar. Vetëm pak kohë më parë, qeveria, me një të rënë të lapsit, fshiu disa leje dhe licenca shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me sektorin e ndërtimit. Mund të marrim një shembull tipik që ka të bëjë me patentën e manovratorëve të makinerive të rënda, e cila nuk jepet më. Tashmë askush nuk të pengon të ushtrosh këtë profesion pa kaluar në kursin përkatës që bëhej pranë SHNSH-së. Po kështu janë edhe një sërë licencash dhe lejesh për ushtrimin e profesionit, të cilat janë të domosdoshme për të kontrolluar të gjitha hallkat e ndërtimit dhe rritur përgjegjësinë e secilës palë. Shoqata e Ndërtuesve me kapacitetet e saj është plotësisht e aftë të marrë përsipër kualifikimin dhe patentizimin e këtyre profesioneve duke e liruar administratën nga ngarkesa të tillë, por duhet një vullnet më i madh për të marrë në konsideratë këto probleme dhe për t’i zgjidhur në mënyrë që të jemi parandalues dhe jo pritës të fatkeqësive të rënda, të cilat nuk kthehen mbrapsht”.
11 Nentor 2008