Komisioni i Shëndetësisë diskuton projektbuxhetin në prani të Bodes dhe Topallit
Për herë të parë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Financave, Ridvan Bode dhe kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Edmond Spaho, morën pjesë dje në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, ku u diskutua në parim projektbuxheti i vitit 2009. “Buxheti i parashikuar për shëndetësinë në vitin 2009 është 4 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në krahasim me vitin 2005, në sektorin shëndetësor në vitin 2009 kalojnë nga 15 miliardë lekë që ishte fondi total që harxhoheshin për sektorin e shëndetësisë, në 25.6 miliardë lekë me një rritje të konsiderueshme. Fondet për vitin 2009 në krahasim me buxhetin e viti 2008 rriten me 2.5 miliardë lekë, ose 13-14 për qind më shumë. Investimet në sektorin shëndetësor do të kenë një rritje në krahasim me ato të viteve në vijim dhe 700 milionë lekë të tjerë”, - është shprehur ministri Bode.
Sipas tij, fondi i pagave mundëson rritjen e pagave të personelit me paga të ulëta dhe rreth 14 mijë punonjës të shëndetësisë që përfitojnë nga kjo rritje kanë një dyfishim të pagës nga viti 2008. Duke bërë krahasimin me një vit më parë, ministri Bode tha se buxheti për shëndetësinë është rritur 10.4 për qind.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e pranishme në mbledhjen e Komisionit të Shëndetësisë, tha se shëndetësia do të jetë edhe më shumë në fokus dhe vëmendje të qeverisë dhe të Parlamentit. “Fondin e projektbuxhetit të parashikuar për shëndetësinë, që do të miratohet në Parlament, do ta bëjmë të detajuar dhe askush pas ditës së votimit nuk mund të guxojë të lëvizë asgjë”, - është shprehur kryetarja e Kuvendit. “Është shumë e rëndësishme që fondet janë rritur, por po kaq e rëndësishme është gjetja e mekanizmit të duhur për të kontrolluar dhe menaxhuar ato”, - është shprehur Topalli, e cila bëri thirrje për të luftuar korrupsionin në shëndetësi. Deputetja e Partisë Socialiste, Rajmonda Stefa, anëtare e këtij komisioni, vlerësoi kryetaren e Kuvendit dhe ministrin e Financave për praninë e tyre në këtë mbledhje. “Ne do t’ju mbështesim në angazhimin tuaj për kujdesin shëndetësor dhe bashkohem me ju për një monitorim më të madh të fondeve që janë parashikuar për këtë sektor”, - tha Stefa.
11 Nentor 2008