Shembja e pallatit, pozitë-opozitë akuzojnë njëra-tjetrën në seancë
Shembja e pallatit në qytetin e Gjirokastrës ka shkaktuar debate midis deputetëve të pozitës dhe opozitës gjatë seancës së djeshme parlamentare. Ndërkohë që deputetët kanë mbajtur një minutë heshtje në nderim të viktimave që humbën jetën nga shembja e pallatit. Palët kanë hedhur akuza kundrejt njëra-tjetrës, ndërsa kanë kërkuar hetimin e plotë të ngjarjes dhe dënimin e përgjegjësve. Deputeti i Gjirokastrës, Genc Ruli, kërkoi që kryebashkiaku i Gjirokastrës, Pirro Ksera, të japë dorëheqjen dhe të lejojë drejtësinë që të zbardhë ngjarjen. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, ka shprehur mbështetjen e PS-së ndaj punës së prokurorisë për të çuar përpara drejtësisë fajtorët. Ajo e ka cilësuar këtë ngjarje si një mësim që u jepet pushtetarëve për të marrë të gjitha masat që të mos ndodhin në të ardhmen ngjarje të tilla tragjike. “Grupi Parlamentar i PS-së kërkon që kjo ngjarje e rëndë të zbardhet deri në fund, duke vënë përpara drejtësisë përgjegjësit, kushdo qofshin. Ne mbështesim Prokurorinë në punën e saj dhe e nxisin atë që hetimet të mbarojnë sa më parë që të jetë e mundur. Kjo ngjarje kërkon një reflektim dhe të vlejë edhe për të ardhmen për nevojën e përmirësimit të legjislacionit”, - është shprehur Leskaj. Deputetë të PS-së e kanë lidhur tragjedinë e Gjirokastrës me atë të Gërdecit pasi në qendër është korrupsioni që bëhet nga pushteti. Sipas tyre, i pari që duhet të japë dorëheqjen është kryeministri Berisha.
Deputeti i PS-së, Blendi Klosi, u shpreh se qeveria i ka mbyllur rrugët pushtetit vendor që të kontrollojë cilësinë e ndërtimeve. “Ajo që ndodhi në Gjirokastër flet për një shtet të shkërmoqur, që nuk jep standarde për ndërtimet. Prej kohësh është folur për një ligj për kontrollin dhe disiplinimin e ndërtimeve dhe asnjë progres nuk është arritur deri tani. Ligji për urbanistikën ka shumë vjet që diskutohet dhe nuk është miratuar ende. Ligji i legalizimeve i heq kompetencat Bashkisë së Gjirokastrës për të kontrolluar ndërtimet dhe ia jep këto Shabanit. Shabanizimi i Shqipërisë bëhet nëpërmjet këtij ligji, i cili heq kontrollin. Pushteti lokal nuk lejohet të kontrollojë standardet”, - është shprehur Klodi. Ndërsa Petro Koçi dhe Erion Braçe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Berisha. “Në rast se do të bëni paralele midis kësaj çështjeje dhe Gërdecit, i pari që duhet të japë dorëheqjen është kryeministri Berisha, pasi është familjarisht i përfshirë në tragjedinë e Gërdecit”, - është shprehur Braçe.
11 Nentor 2008