MSH, politika për ndërhyrjet në imunizimin e fëmijëve
Imunizimi i fëmijëve mbetet një ndër ndërhyrjet më të suksesshme të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë për shëndetin e fëmijës, por dhe një nga treguesit më të mirë të shëndetit në përgjithësi për vendin tonë. Shqipëria ka një skemë vaksinimi të detyrueshëm kundër sëmundjeve kryesore të fëmijërisë, që parandalohen me vaksinat Difteria, Tetanozi, Pertusi, TBC, Polio, Fruthi, Rubeola, Parotiti, Hemofilus Influenze HB, Hepatiti B. Vaksinimi parandalon dhe shpëton nga disa lloj sëmundjesh, ndërkohë që ofrohet falas për fëmijët e moshave 0-14 vjeç.
"MSH ka rishikuar Strategjinë e Imunizmit 2009-2013, në kuadër të përmirësimit të vazhdueshëm të shëndetit të fëmijëve, por edhe të grupeve të tjera të popullatës, në mbrojtje të tyre nga sëmundjet e parandalueshme, nëpërmjet vaksinave, si edhe në mbështetje të iniciativave botërore të eliminimit dhe kontrollit të sëmundjeve të parandalueshme, duke reflektuar vizionin dhe principet e strategjisë globale 2006-2015", thanë burime nga MSH. Sipas të njëjtave burime, strategjia e re parashikon futjen e disa vaksinave të reja dhe zgjerimin e programit të imunizimit për popullatën. Një ndër qëllimet e MSH është dhe kontrolli i Hepatitit B në moshat 18 vjeç, si edhe në grupet e riskut, duke ruajtur një mbulesë të lartë vaksinale dhe duke kryer fushata vaksinimi për moshat 15-18 vjeç, testimi i grave shtatzëna për hepatitet virale, ndërtimi i strategjisë kombëtare të kontrollit të Hepatiteve. Gjatë vitit 2008, në kalendarin rutinë të vaksinimit të fëmijëve, u fut vaksina Hib (hemofilus influence, që është një nga shkaktarët e sëmundjeve të rënda tek foshnjet), ndërsa në muajin mars të këtij viti u mundësua dhe futja e vaksinës pentavalente, e cila mbron fëmijët nga 5 sëmundje. "Strategjia e re parashikon futjen e vaksinës së Hepatitit A në vitin 2012, si pasojë e ndryshimit të profilit epidemiologjik të kësaj sëmundjeje drejt adoleshentëve dhe të rinjve", pohojnë të njëjtat burime. Ruajtja e statusit si vend pa poliomelit, si dhe vendosja e survejancës së paralizave flakside akute përtej moshës fëminore dhe vendosja e survejancës mjedisore për qarkullimin e viruseve të polios dhe atyre vaksinale, por dhe forcimi i survejancës së enteroviruseve, janë synime të tjera të kësaj strategjie.