E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Braktiset" Ina Rama, në prezantimin e Task- Forcës

Përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme, SHISH e KLSH-së nuk ishin të pranishëm në ceremoninë e djeshme në Prokurorinë e Përgjitshme


Numri një i akuzës në vend, kërkoi kujdes drejtuesve të rinj të njësive të antikrimit ekonomik të gjashtë qyteteve ku ata janë atashuar


TIRANË- Pokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, "braktiset" nga institucionet e memorandumit të bashkëpunimit të luftës kundër krimit ekonomiko-financiar në ditën e prezantimit të drejtuesve, prokurorëve dhe oficerëve të gjashtë njësive të reja të Task-Force-s në vend.


Gjatë prezantimit, që u zhvillua në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme ishin të pranishëm të gjashtë prokurorët e rrethit të Vlorës, Shkodrës, Durrësit, Korçës, Gjirokastrës dhe Fierit, si dhe drejtuesit e rinj të njësive të Task-Forcës në këto rrethe, bashkë me prokurorët dhe oficerët. Në krye të panelit, të ulur përballë të pranishmëve ishte kryeprokurorja Ina Rama, drejtuesi i hetimeve pranë institucionit qendror të akuzës, Sokol Stojani dhe drejtuesi qëndror i Task- Forcës në Prokurorinë e Përgjithshme, Arben Kraja.


Në sallën e mbledhjeve ishin të pranishëm përfaqësues të USAID-it, OSBE-së dhe Sekretari i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive. Edhe pse të ftuar në panel, mungonin përfaqësuesit Ministrisë së Brendshme, Financave, SHISH e KLSH-së.


Pavarësisht kësaj, është e qartë se mes tyre ka një marrëveshje për ngritjen e njësisë së përbashkët kundër krimit ekonomik. Kryeprokurorja iu kërkoi prokurorëve të bashkëpunonin me institucionet me të cilat ka marrëveshje bashkëpunimi për luftën ndaj krimit financiar.


"Sigurisht kjo kërkesë bashkëpunimi nuk i shtrohet vetëm prokurorëve apo oficerëve të prokurorisë, por të gjithë anëtarëve të njësive, ku kam parasysh oficerët e Policisë së Shtetit, e ata që do të vijnë nga tatimet e doganat, si dhe pikave të kontaktit të punonjësve të SHISH-it, të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe ILDKP-së"-tha Rama në fjalën e saj.


Gjithashtu, ajo iu bëri apel prokurorëve dhe oficerëve që të jenë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm gjatë mbledhjes së materialeve hetimore. "Korrupsioni është i sofistikuar dhe jo sikurse krimi ordiner".


Rama sqaroi gjithashtu edhe mënyrën e përzgjedhjes së këtyre oficerëve dhe prokurorëve që do punojnë pranë këtyre njësive, që sipas saj është përdorur një mënyrë përzgjedhje të vlerësimit të punës së tyre. "Personat u zgjodhën bazuar në eksperiencën dhe rezultatet e tyre, duke pasur përparësi eksperienca në hetimin e krimit ekonomik e korrupsionit.


Këto njësi janë ngritur me synimin për të rritur cilësinë e ndjekjes penale, për të rritur numrin e rasteve të ngritjes së akuzës dhe dërgimit në gjykatë të autorëve të veprave penale në fushën e krimit ekonomik dhe korrupsionit.- thuhet në njoftimin e zyrës së kryeprokurores Rama.


Që nga dita e djeshme, njësitë antikorrupsion, do të funksionojnë në prokuroritë e Fierit, Vlorës, Shkodrës, Gjirokastrës, Korçës e Durrësit. Këto njësi do kenë objekt hetimin e veprave penale në tatime, dogana, shoqëritë tregtare, falimentit, falsifikimet e ndryshme, mashtrimet, abuzimet me detyrën, krimit ekonomik në tërësi dhe korrupsionit të përcaktuara në marrëveshjen 6 majit 2009.


Sipas prezantimit në prokurorinë e Durrësit do të ketë 4 prokurorë bashkë me drejtuesin dhe tre oficerë, në Vlorë, Shkodër dhe Gjirokastër do të jenë tre prokurorë bashkë me drejtuesin dhe dy oficerë, ndërsa në Fier dhe Korçë nga dy prokurorë bashkë me drejtuesin dhe dy oficerë.


Drejtuesit e njësive të Task-Forcës
Arben Kraja, në Prokurorinë e Përgjithshme
Dritan Rreshka, në Prokurorinë e Durrësit
Dorian Tafili, në Prokurorinë e Vlorës
Alma Kola, në Prokurorinë e Fierit
Arta Marku, në Prokurorinë e Shkodrës
Elison Sadiku, në Prokurorinë e Korçës dhe
Arben Pasho në Prokurorinë e Gjirokastrës

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›