Dorëhiqen drejtuesit e prokurorisë së Durrësit
Dy ditë më parë, kërkesa për largim mbërriti në zyrën e Ramës e cila hodhi firmën e saj
TIRANË- Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, paraditen e djeshme miratoi dorëheqjen e parevokueshme të Prokurorit të Rrethit në Durrës, Arian Ndoja dhe dy zëvendësve të tij, prokurorëve Pali e Elena Bakëllbashi. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme dhe nga vetë kryeprokurori i dorëhequr i Durrësit.
"Japim dorëheqje në mënyrë unanime, për çështje formimi dhe dinjiteti profesional për probleme parimore që bien ndesh me ndërtimin dhe funksionimin e shtetit të së drejtës"-thuhet në tekstin e dorëheqjes të firmosur nga tre prokurorët Ndoja, Pali dhe Bakëllbeshi. Ata pritet të mbajnë postin e prokurorit të thjeshtë.
Sipas kërkesës, të konfirmuar nga zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme, tre drejtuesit e institucionit të akuzës, kanë renditur disa arritje të punës së tyre në krye të këtij institucioni, duke cilësuar largimin e tyre si parimore dhe që bie ndesh me mendimin e drejtuesve të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme.
"Gjatë kësaj kohe kemi përballur punë voluminoze dhe respektim të kodit të etikës. Kemi kontribuar në rritjen pavarësisë së prokurorit në vendimmarrje dhe individualizimin e përgjegjësive dhe meritokracisë së prokurorëve të çështjes, zv/prokurorëve dhe prokurorit të rretheve, për të bërë të mundur vlerësimin sa më saktë të punës së secilit.
Ruajtjen e figurës së pastër të prokurorit nga pikëpamja morale dhe profesionale si dhe të përballimit të volumit të punës. Vetëm katër muajt e fundit, ky institucion i ka dhënë drejtim mbi 1100 dosjeve të hapura po nga ky institucion"-thuhet në letrën e dorëheqjes.
Pas miratimit të këtyre dorëheqjeve kryeprokurorja Rama ka komanduar në krye të institucionit të akuzës në Durrës prokurorin Bujar Sheshi, i cili kohë më parë dha dorëheqje nga grupi i caktuar nga kryeprokurorja për hetimin e tragjedisë së Gërdecit.
Ndërkohë, kohë më parë, ILDKP-ja ka kallëzuar në prokurori ish-shefin tashmë të prokurorisë së Durrësit për "fshehje të pasurisë", akuzë për të cilën është vendosur mos fillimi i hetimeve për mungesë të provave.
SHULLAZI
Gjykata i kërkon ndihmë KLD-së për Shullazin e Ferhatin
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, ku po shqyrtohet dosja penale e kthyer nga Gjykata e Apelit, i kanë kërkuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë të delegojë dy gjyqtarë për gjykimin e dosjes penale në ngarkim të të pandehurve Emiljan Shullazi dhe Ervin Ferhatit, të akuzuar për "trafik droge".
Ky lajm konfirmohet nga kryesuesja e togave të zeza, të gjykimit të kësaj dosjeje, Marsela Balili, e cila në seancën e parë gjyqësore të zhvilluar gjatë paradites së djeshme njoftoi se i është kërkuar KLD-së për delegimin e dy gjyqtarëve pasi 14 gjyqtarë të kësaj gjykate janë konsumuar në shqyrtimin dhe gjykimin e kërkesave të ndryshme që kanë lidhje me dy të pandehurit.
Të vetmit gjyqtarë tashmë të pa konsumuar me shqyrtimin masave, sekuestrove dhe gjykimit të dosjes ndaj të pandehurve dhe "shokëve" të tyre që tashmë janë dënuar janë kryesuesja e trupit gjykues Marsela Balili dhe anëtarët Flora Hajredini e Dritan Hallunaj.
Dosja në ngarkim të të pandehurve Shullazi e Ferhati është gjykuar kohë më parë pranë kësaj gjykate, e cila i ka deklaruar fajtorë duke i dënuar me nga 16 vite burg, por Gjykata e Apelit pranë Krimeve të Rënda e ka prishur këtë vendim, duke e kthyer për rigjykim.
Shkak për prishje, sipas Gjykatës së Apelit, kanë qenë përgjimet e administruara si prova të sjella nga autoritetet italiane të cilat kanë cenuar sovranitetin e shtetit shqiptar duke përgjuar persona brenda territorit të Shqipërisë.
Po ky vendim, ka marrë formën e prerë pasi Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, duke kthyer çështjen për rigjykim.
Sipas akuzës, provat e përgjimit tashmë janë shpallur të pavlefshme dhe pritet që dosja t'i nënshtrohet një procesi të ri gjyqësor, për akuzat e "trafiku të drogës" nga Shqipëria në Itali me ndihmën e korrierëve shqiptarë dhe të huaj.
Prezantohet drejtori i Policisë së Shtetit, Prençi lë detyrën
Tiranë- Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, është prezantuar dje në ambientet e këtij institucioni nga Ministri i Brendshëm, në prani të funksionarëve të lartë të Policisë si dhe në prani të përfaqësuesve të misioneve të huaja policore.
Drejtori i ri i Policisë, Hysni Burgaj, ka thënë betimin e tij, pasi ka marrë flamurin e Policisë së Shtetit nga parardhësi i tij Ahmet Prençi, duke u betuar se do të mbajë me nder këtë flamur në respekt të brezave që kanë punuar në radhët e uniformave blu, në respekt të të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit në detyrë.
Pas betimit të Burgajt, ministri i Brendshëm, ka pohuar se sipas tij organet e Policisë së Shtetit kishin të gjithë mbështetjen e qeverisë, në luftën e tyre kundër krimit.
Ministri pohoi se: Shpata e ligjit do të rrijë mbi kokën e krimit gjithmonë e gatshme për ta goditur atë",- duke lënë të nënkuptohej se goditja e krimit nga policia dhe shteti nuk ishte e pamundur. Pas fjalës përshëndetëse të ministrit, kreu i ri i Policisë, Burgaj, paraardhësi i tij Prençi dhe Basha kanë pasur një takim në zyrën e kreut të Policisë.
Gjysëm ore pas takimit, ku janë bërë doëzimet ish- kreu i Policisë la oborrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë me një autoveturë, ndërsa në zyrë la ministrin me drejtorin e ri të uniformave blu. Hysni Burgaj u emërua dy ditë më parë, në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ndërsa dje ai mori zyrtarisht detyrën.