E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braktiset në plazhin e Shëngjinit Audi Q7

Drejtuesi i makinës është larguar me vrap kur ka parë policinë. Nis verifikimi nëse mjeti është apo jo i vjedhur

SHËNGJIN- Një makinë luksoze është braktisur dy ditë më parë në plazhin e Shëngjinit nga një person që është larguar me vrap sapo ka parë policinë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19.30 të ditës së diel dhe ende nuk është zbardhur nga ana e policisë. Burimet zyrtare të policisë së Lezhës sqaruan dje se efektivat e tyre ishin duke kryer një kontroll rutinë në zonën e plazhit. Në një moment ata kanë konstatuar fuoristradën e shtrenjtë që po vinte në drejtim të tyre. “Menjëherë drejtuesi i automjetit, pasi ka parë postbllokun e policisë, ka zbritur nga makina dhe është larguar me vrap duke braktisur automjetin në mes të rrugës. Me gjithë thirrjen e policisë për të ndaluar, drejtuesi i automjetit ka arritur që të largohet. Nga ana jonë u bë bllokimi i makinës dhe shoqërimi i saj për në komisariat. Automjeti është tip “Audi Q7” me targa të huaja D6954TS”,- thanë dje burimet zyrtare të policisë së Lezhës. Sipas tyre, kanë nisur verifikimet për të parë nëse makina është apo jo e vjedhur. Të dhënat e para tregojnë se kjo makinë nuk është denoncuar ende si e vjedhur por verifikimet e fundit do të bëhen nga zyra e Interpol Tiranës. Gjithashtu policia ka marrë gjurmët e gishtërinjve të gjetura në makinë dhe është duke verifikuar nëse i përkasin apo jo ndonjë personi të skeduar më parë.

Zona e Shëngjinit është kthyer kohët e fundit në një “Oaz” të makinave të vjedhura. Vetëm gjatë ditëve të fundit policia lokale ka arritur që të bllokojë 26 automjeteve për mungese dokumentacioni. Por përveç makinave, në këtë zonë janë evidentuar edhe shumë sherre. Vetëm gjatë sezonit turistik, në Shëngjin, janë shoqëruar në polici për konflikte të ndryshme 68 shtetas, ku shumica prej tyre është lënë sërish e lirë pas bisedave me policinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›