E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimi i sistemit, 40 mësues mbesin pa punë

Rreth 650 njerëz janë në pritje për një vend pune si mësues. Lista e krijuar që në vitet 1980

GJIROKASTËR- Rreth 40 mësues këtë fillimviti mësimor do t’i bashkëngjiten armatës së të papunëve në Gjirokastër. Aplikimi i sistemit 9-vjeçar për herë të parë nga njëra anë si dhe ulja e vazhdueshme e numrit të nxënësve në të tri sistemet ka bërë që gjendja e punësimit të arsimtarëve në qarkun jugor të paraqitet mjaft e rënduar. Mësohet se numri më i madh i mësuesve që do largohen nga puna i përket sistemit të mesëm, i cili për këtë vit do të funksionojë vetëm me tri klasa si dhe atyre që japin mësim në zona të largëta ku numri i nxënësve që frekuentojnë shkollat vjen vazhdimisht në ulje dhe si rrjedhim pritet të ketë bashkime dhe përqendrime. Informacionet e marra pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale kanë bërë të ditur se përzgjedhja e mësuesve që do të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë është një proces mjaft i vështirë dhe për ta bërë të mundur do të merren parasysh disa kritere si vjetërsia në punë, aftësia në mësimdhënie, vlerësimet që kanë marrë gjatë ushtrimit të detyrës etj. Ndërkaq, listat e të papunëve që kanë përfunduar universitetin për degët e mësuesisë në Gjirokastër vit pas viti vijnë duke u shtuar. Aktualisht në listën e pritjes janë rreth 650 persona, pa përfshirë të sapodiplomuarit përgjatë këtij viti akademik, ndërsa punësimi i tyre në kohën kur do të ketë të tjera shkurtime duket pothuajse i pamundur. Nga ana tjetër sipas një studimi të kryer për këtë vit në rrethin e Gjirokastrës rezulton se disa shkolla do të shkrihen, për shkak të numrit të ulët të nxënësve që i frekuentojnë ato. Por, ndërsa ende nuk dihet sesa shkolla do të shkrihen, pasi kjo çështje do të jetë në varësi të regjistrimeve, mundësitë për punësime të reja në arsim zvogëlohen gjithmonë e më shumë. Duket se të gjithë këta persona duhet të presin shumë vite me radhë, deri sa t’u vijë koha të punësohen, pasi në lista figurojnë të diplomuar që në mesin e viteve 1980 presin qysh prej 20 vjetësh hapjen e një vendi pune. Fakti që në qytetin e Gjirokastrës funksionon universiteti “Eqrem Çabej” bën që çdo vit të diplomohen mësues të rinj e për pasojë të ngushtohet së tepërmi rrezja e vendeve të reja të punës. Gjithsesi ajo që mbetet e rëndësishme është fakti që një forcë të madhe të të papunëve në Gjirokastër e përbëjnë të diplomuarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›