Korë, përplas me makinë 15-vjeçarin
KORÇE - Një adoleshent nga një fshat i rrethit të Korçës tenton të vrasë me makinë një bashkëmoshatarin e tij pas një grindjeje në një qendër interneti. Adoleshenti me inicialet G.K nga fshati Libonik i Korçës është arrestuar nga policia lokale me akuzën "vrasje e mbetur në tentativë" dhe "drejtim i automjetit pa dëshmi aftësie". Burime të policisë që bënë të ditur arrestimin e 15-vjeçarit G.K thanë se ky person ka qenë duke udhëtuar me mjetin e familjes, tip "Benz", që e kishte marrë pa leje. Ai kishte bërë një sherr me një moshatarin e tij në një qendër interneti dhe sapo ka dalë jashtë e ka përplasur me makinë. Nga hetimet e policisë ka dalë se duke drejtuar autoveturën me shpejtësi, G.K e ka tërhequr zvarrë për afro 8 metra dhe i ka rrezikuar jetën bashkëmoshatarit me të cilin u konfliktua. I plagosuri ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. g.a